DMCA.com Protection Status

Nxirren trupat pajetë të dy fëmijëve në liqen (VIDEO)

Janë nxjerrë nga liqeni i Prushit trupat e pajetë të dy fëmijëve. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e sotme, në periferi të Tiranës, rreth orës 18:05.

Në vendngjarje kanë arritur forcat e policisë dhe polumbarët e RENEA-s, që bënë të mundur nxjerrjen e trupave nga liqeni.

Sipas policisë të miturit janë të moshës 11 dhe 13 vjeç.

Ishin një grup fëmijësh të cilët u futën për tu larë, katër prej tyre dolën, ndërsa dy të tjerët nuk mundën të dilnin./abcnews.al

Një tragjedi e dyfishtë ka ndodhur në familjen Taku pasditen e sotme, ku dy të miturit e familjes humbën jetën në liqenin e Prushit në Tiranë.

Gazetarja Dorjana Bezat bën të ditur për “Top Channel”, se ashtu si çdo pasdite, një grup prej gjashtë fëmijësh kishin shkuar për tu larë në liqen, aty ku sfidonin temperaturat e larta të ditëve të fundit, por fatkeqësisht dy prej fëmijëve nuk dolën nga liqeni.

Pasi fëmijët e tjerë raportuan mungesën e 11 dhe 13-vjeçarit, u njoftuan menjëherë autoritetet përkatëse dhe vunë në kërkim të trupave. Fillimisht u gjet vetëm njëri nga trupat, por disa minuta më vonë u bë e mundur edhe gjetja e trupit tjetër.

Bëhet me dije se familja kishte dy djem dhe një vajzë dhe ishin në gjendje jo të mirë ekonomike.

Liqeni është më shumë se tre metra i thellë, por nuk ka pasur më parë asnjë ngjarje të kësaj natyre.