DMCA.com Protection Status

Merret vendimi për të riun që shkaktoi aksidentin me pesë të vdekur në Ferizaj (FOTO/VIDEO)

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur sot aktgjykimin ndaj të riut Erton Musliu, i cili shkaktoi aksident në qershor të 2021-ës në Koshare të Ferizajt, ku humbën jetën pesë persona.

Musliu u shpall fajtor dhe u dënua me 8 vite burgim, transmeton Gazeta Sinjali.

Gjykatësja bëri të ditur se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Ndryshe, Erton Musliu është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 5 tetor 2021.

Sipas aktakuzës, “më 6 qershor 2021, rreth orës 15:37, në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Koshare të Komunës së Ferizajt, i pandehuri duke drejtuar automjetin të markës “Audi A8”, me të arritur përballë firmës “LS Qeramika”, me dashje eventuale shkel nenin 53, paragtafin 1 të Ligjit për rregullat e trafikut rrugor”, raporton Betimi për Drejtësi.

Aty thuhet se duke mos ia përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës në vendbanim, si dhe duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, kishte tejkaluar në vijë të plotë dhe kishte kaluar në shiritin e majtë rrugor, me ç’rast më pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e tipit “Golf II” në pjesën e përparme të anës së majtë, i cili automjet ishte duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Shtime-Ferizaj.

Musliu akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.