DMCA.com Protection Status

‘Nëse përmend emra në Polici, kena me të mbytë krejt‘, kështu ndodhi ngjarja

Dje rreth orës 15:00 një person është përballur me një kanosje serioze nga dy persona të cilët ia zunë pritën në lagjen Veternik në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali mëson se dy persona B.M. dhe A.S., e kanë ndaluar viktimën A.A., para hyrjes së restorantit ‘Gizzi Grill’ në Veternik, ku e kanë kërcënuar me jetë.

Sipas 38-vjeçarit, i cili rastin e denoncoi në Polici, të dyshuarit fillimisht iu drejtuan me fjalët ‘pse po përmend emra në Polici’ e më pas e kërcënuan me fjalët se ‘nëse përmend emra në Polici, kena me të mbytë krejt’.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, motiv i kësaj kanosje dyshohet të jetë një marrëveshje biznesi mes palëve të përfshira.

Me t’u denoncuar rasti, njësitet policore kanë marrë veprimet hetimore me ç’rast janë arrestuar dy personat e dyshuar të cilët janë dërguar në Stacion Policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, B.M dhe A.S., iu është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit janë dërguar në qendrën e mbajtjes në Prishtinë.