DMCA.com Protection Status

“Ai ka vdekë, kam frikë se më hakmerren…” – “Edhe ti nuk e ke larg”, 17-vjeçarit në Komoran ia zë pritën babai i djemve që i kishte pIagosur prindi i tij

Një rast i pIagosjes që kishte ndodhur para dy vitesh në Komoran i ka kushtuar një 17-vjeçari me kanosje. Sinjali mëson se atij ia ka zënë pritën babai i djemve të cilët i kishte pIagosur babai i tij, tashmë i ndjerë, në shenjë hakmarrjeje për atë që kishte ndodhur. Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë dhënë detaje se si i mituri u kërcënua seriozisht nga i dyshuari S.I., i cili i ka shkaktar frikë e shqetësim.

Gjithçka dyshohet se ndodhi para një furre në Komoran, kur viktima u përball me të dyshuarin, derisa po kalonte në atë pjesë. Për një moment ai e dëgjoi se dikush iu drejtua me fjalët “edhe ti nuk e ke larg”. Kjo e frikësoi shumë të miturin, për çka vendosi që të kërkojë ndihmë nga Policia.

Motivi i kanosjes dyshohet të jetë një rast i mëhershëm, ku ishte i përfshirë babai i viktimës dhe djemtë e të dyshuarit. Burimet thonë se rreth dy vite më parë, babai i të miturit i kishte pIagosur djemtë e të dyshuarit, për shkak të një kontesti pronësor.

Ky rast siç duket për familjen e të dyshuarit nuk është mbyllur dhe kanë vendosur t’i qërojnë hesapet me djalin e tashmë të ndjerit, duke e kërcënuar.

Në deklaratën e dhënë në stacion policor, sipas burimeve brenda Prokurorisë, djali është shprehur i shokuar nga kërcënimi që e pranoi, duke thënë se “babai ka vdekë, unë jam djali i vetëm i tij, kam frikë se hakmerret ai dhe më bën diçka te keqe”.

Pas denoncimit të rastit, Policia ka marrë menjëherë veprimet e nevojshme hetimore dhe ka arrestuar të dyshuarin, i cili gjatë intervistimit e ka mohuar në tërësi ta ketë kërcënuar viktimën.

Por pavarësisht deklaratës së tij, Prokurori ka vendosur se denoncimi i viktimës dhe informacionet e mbledhura në këtë fazë hetimi, provojnë mjaftueshëm, se i dyshuari duhet të dërgohet në ndalim policor.