DMCA.com Protection Status

‘Të shkoi kerri’/ 36-vjeçari kosovar e ndjek nga pas dhe e kap vetë hajnin që ia vodhi G Class-ën prapa lokalit

Kohët e fundit janë shpeshtuar rastet ku cak i hajnave janë veturat e qytetarëve. E një veturë luksoze tentoi ta vjedhë edhe një 18-vjeçar në fshatin Gurakoc të komunës së Istogut mbrëmë rreth orës 22:30, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se një 36-vjeçar e kishte parkuar veturën e tij luksoze të tipit Mercedes G Class prapa lokalit dhe çelësat i kishte lënë brenda automjetit.

Posa kishte hyrë në lokal, dikush e kishte lajmëruar se ia vodhën veturën me fjalët ‘të shkoi kerri’.

Reagimi i pronarit të veturës ishte i shpejtë, duke marrë një veturë tjetër me të cilën e ndoqi pas hajnin që ia vodhi veturën e tij.

Sipas 36-vjeçarit kishte arritur që në një pikë t’ia bllokojë rrugën veturës së tij që po vozitej nga hajni dhe ta marrë sërish në pronësi atë.

Ai menjëherë rastin e ka denoncuar në Polici, të cilët në vendin e ngjarjes kanë arrestuar 18-vjeçarin që e kishte kapur vetë viktima.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se i dyshuari ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet gjatë intervistimit dhe nuk ka deklaruar asgjë lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, 18-vjeçarit i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ndaj tij iniciohet rasti ‘Vjedhje’.