DMCA.com Protection Status

“Bre vëlla çka u ba, që s’po na leni rahat, s’ka e as s’ka me pasë bir nane me mujt me na hekë”

Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës, Valon Brahimi, është kërcënuar seriozisht nga një qytetar, gjatë ditës së djeshme. Sinjali mëson se një vendim i komunës për lirimin e hapësirave publike u bë mollë sherri që pasoi me kërcënime ndaj drejtorit Brahimi, rast ky me të cilin po merret Policia.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë dhënë detaje ekskluzive se si u kanos drejtori dhe vëllai i tij nga një shitës në Mitrovicë.

Aksioni i komunës për lirimin e hapësirave publike në Mitrovicë duket se ka prekur shumë shitës që shfrytëzojnë pjesë të ndryshme në qytet për të tregtuar. Njëri prej tyre N.B., nuk e ka pranuar këtë vendim të komunës dhe i ka dërguar ‘selam’ drejtorit Valon Brahimi, përmes vëllait të tij.

Sinjali mëson se shitësi i dyshuar, gjatë ditës së djeshme, kishte ndaluar në mes të rrugës vëllain e drejtorit, të cilin e kërcënoi duke iu drejtuar me fjalët “po gabon vëllai juaj me marrë ndonjë aksion me njësi speciale, nëse po keni me pasë punë me mua, ti edhe ai nëse na e pësojmë nga Policia”.

Për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari e ka “paralajmëruar” drejtorin përmes vëllait të tij se “veç një anëtar të familjes me ma prekë, e me ju mungu ndonjë fije flokë, e vras, nanën ia q*”.

Pasi kreu ‘punën’ me vëllain e drejtorit, i dyshuari e telefonoi edhe vet drejtorin Brahimi, duke e kërcënuar për vendimin që kishte marrë.

“Bre vëlla çka u ba, që s’po na leni rahat me Policia e inspektora hajna”, ishin fjalët kërcënuese të të dyshuarit ndaj drejtorit.

Në deklaratën e drejtorit të dhënë para hetuesve policorë thuhet se i dyshuari po ashtu i kishte thënë se pavarësisht vendimit, askush s’guxon ta largojë nga hapësirat publike.

“S’ka pasë bir nane që na hekë, e as tash s’ka me mujt me na hekë, se kur t’ma prekë bukën, jom në gjendje me bë gjithçka”.

Të gjitha dëshmitë që dy vëllezërit ankues kanë pasur i kanë deponuar në Polici me rastin e denoncimit të rastit.

Pas marrjes së deklaratave nga drejtori dhe vëllai i tij që ishin viktimë e kanosjes, Policia është vënë në veprim dhe ka kërkuar të dyshuarin, për të siguruar prezencën e tij për intervistim, lidhur me rastin.

I njëjti është kërkuar gjatë ditës së djeshme nga njësitë policore por nuk është kapur deri më sot, kur është shoqëruar dhe intervistuar në stacion policor.

Sinjali mëson se prokurori ka urdhëruar se i dyshuari të ndalohet për 48 orë dhe ndaj tij të iniciohet rasti si kanosje ndaj personave zyrtarë.