DMCA.com Protection Status

Të shtëna me armë zjarri në një lokal në Prizren, i riu hyn me kallash dhe shkakton rrezik të përgjithshëm

Sot rreth orës 21:00 në fshatin Lubizhdë të Komunës së Prizrenit, në lokalin e muzikës live të njohur si “Amsterdam”, ka pasur të shtëna me armë automatike.

Sinjalizuesit e Gazetës Sinjali në kushte anonimiteti kanë treguar se para hapjes së këtij lokalit, një person ka hyrë brenda me armë automatike dhe ka shtënë disa herë. Pas të shtënave ai është larguar me veturën e tij dhe për këtë rast është njoftuar Policia.

Sinjali mëson se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë për të ekzaminuar vendin e ngjarjes dhe identifikuar të dyshuarin, me ç’rast janë gjetur gëzhoja e predha të pa shkrepura të armës automatike, si dhe janë evidentuar dëmtime edhe në tavanin e lokalit. Fatbardhësisht edhe pse kishte së paku dy persona në lokal, lëndime nuk ka pësuar askush thonë burimet e Sinjalit.

Më tutje, burimet thonë se i dyshuari tashmë është identifikuar nga Policia dhe së shpejti pritet arrestimi i tij.

Për konfirmimin e sinjalizimit, redaksia ka kontaktuar rreth orës 22:00 edhe me zëdhënësin e Policisë së Kosovës në Prizren, mirëpo i njëjti ka deklaruar se nuk posedon informacione lidhur me rastin.