DMCA.com Protection Status

Kosovari që në mes të operacionit i doli anestezioni: Dëgjova gjithçka

Imagjinoni sikur jeni në një sallë operacioni me së paku pesë mjekë mbi trupin tuaj. Ndërhyrja kirurgjike është mjaftë e rëndë. Procesi shkon mirë, ju jeni në anestezion të plotë. Por një sekondë t’i i hap sytë dhe sheh e ndjen çdo gjë.
Kjo fjali shpjegon pak për rrëfimin e Bahri Gashit, nga Prishtina i cili në vitin e kaluar i është nënshtruar një operacioni jo të lehtë në QKUK.

Në një bisedë për Nacionale, ky person ka shpjeguar përvojën e tij si pacient në QKUK i cili për një muaj kishte qëndruar në njërën nga klinikat e spitalit shtetëror pas intervenimit që ka bërë në mushkëri.

“Shihe këtë foto. Jam unë, pak javë pasi e pata kry operimin”. Kështu e nis bisedën me mua, Bahriu duke treguar se sa me fat është që i kaloi me sukses të dy operimet në mushkëri.

“Më 14 prill të vitit të kaluar jam operuar. Në dhjetor të vitit 2020 jam diagnostikuar. Kam pasur ajër në mushkëri e sipas mjekëve”, nis bisedën ai.

Por derisa po vazhdonte operacioni, Bahriu për një sekond i hapi sytë. Ani se e kishte gypin në gojë, ai arriti t’i lëvizë gishtat për t’ua bërë me dije mjekëve se u zgjua nga anestezioni.

“Në operacionin e parë derisa mjekët po punonin, mua ndoshta një sekond më ka dalë pija. Veç e di që më ka dalë anestezioni. Jashtëzakonisht e kam përjetuar rëndë sepse ndihesh i pafuqishëm për gjithçka. Një gyp në gojë. Kom dëgju fjalë, por reagimi i mjekëve ka qenë i menjëhershëm. Kur me ka dalë pija, unë e kom lëviz gishtin e ata më kanë pa dhe menjëherë kanë intervenuar. Prej atij momenti e mbaj mend vetëm gypin në gojë e këtë pjesën e gishtit”, thotë Bahriu për Nacionalen.

Por ai thotë se “falë mjekëve e punës së tyre sot ai është shëndosh e mirë”

“Dua t’i falënderoj të gjithë mjekët, anesteziologët, infermierët që janë kujdesur për mua për rreth një muaj. Përjetësisht falënderues ndaj tyre”, thotë Bahriu.

Bahriun e lëshoi anestezioni, por cili është rroli i anesteziologut në sallën e operacionit
Pa anesteziologun zor që kryhet ndonjë operacion.

Anestezia nënkupton humbjen e plotë ose të pjesshme të ndjeshmërisë së gjithë trupit a të një organi, duke mundësuar operimin pa ndjerë dhimbje.

Ecuria e anestezionit është reverzibile; organizmi pas pushimit të efektit, të gjitha funksionet e indeve nervore duhet të kthehen në gjendje normale. Gjatë anestezionit lokal, epidural dhe spinal bllokohet përcjellja e impulseve nervore, kështu që sinjalet nuk përcillen në tru. Anestezia mund të jetë: e përgjithshme, regjionale, peridurale dhe lokale. Ekzistojnë dy lloje të anestezionit: anestezioni i përgjithshëm, dhe ai regjional.

Pavarësisht llojit të anestezionit të nevojshëm për operimin tuaj, funksionet vitale do të jenë të monitoruara, duke përfshirë ritmin e zemrës, shtypjen e gjakut, nivelin e gazrave në gjak, frymëmarrjen, temperaturën, ndërsa në rast nevoje, do të monitorohen edhe funksionet tjera trupore.

Pavarësisht rolit të jashtëzakonshëm të anesteziologëve, QKUK-ja ka mungesë të tyre
Sistemi shëndetësor publik në vend po përballet me mungesë të anesteziologëve. Në të gjitha institucionet shëndetësore publike në vend punojnë 92 specialistë të kësaj fushe. Kurse, vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë, janë 51 anesteziologë.

E ky numër i anesteziologëve po konsiderohet i pamjaftueshëm për të kryer të gjitha shërbimet mjekësore që nevojiten.

Nga mungesa e këtyre specialistëve në Klinikat kosovare po krijohen lista të gjata të pritjes së pacientëve. Afro 2 mijë pacientë e presin një anesteziolog në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare.

Aktualisht në këtë Klinikë vetëm një sallë është në shfrytëzim për shkak se tash e një muaj klinika ka vetëm një anesteziolog.

Sipas drejtorit, për aq kohë sa klinika kishte dy anesteziologë vëllimi i punës ka qenë më i lartë, mirëpo me vetëm një anesteziolog ai thotë se nuk mund të kryhen më tepër intervenime, duke potencuar edhe mungesën e shtretërve për hospitalizim të pacientëve.

“Në klinikën tonë momentalisht vetëm një sallë punon pasi në funksion e kemi vetëm një anesteziolog e në atë sallë duhet të kryen intervenime të cilat nëse nuk kryhen mund të kenë pasoja të gjata për pacientin. Arsyeja se përse kemi listë të pritjes ne në Klinikë është nga mungesa e anesteziologëve”, ka deklaruar për Nacionalen, drejtori i Klinikës Vasklulare të QKUK-së, Hajriz Rudari.

Si pasojë e mungesës së anesteziologëve në shumë klinika të QKUK-së janë krijuar lista të gjata të pritjes.

Listë të pritjes deri në katër vite ka edhe në Klinikën e Ortopedisë. Edhe aty sipas drejtorit, Gani Jashanica, ka mungesë të anesteziologëve.

“Ne kemi listë të gjatë të pritjes në Klinikën tonë për intervenime. Ka ndikuar mos-furnizimi me material por edhe mungesa e anesteziologëve. Ka disa anesteziolog që po ikin, ne po pësojmë. Sepse anesteziologët tanë po i marrin me shërbye në intensive dhe normalisht pastaj që krijohen probleme”, ka thënë Jashanica për Nacionalen.

E shumë mjekë kosovarë përfshirë këtu edhe specialistët e anesteziologjisë po e lënë punën shtetërore duke preferuar që të punojnë në institucione private apo edhe jashtë vendit./Nacionale.com/