DMCA.com Protection Status

Pleqtë e Malishevës akoma ndajnë drejtësi me Kanun, detyrojnë nipin që “ua mori fytyrën” të paguajë 45 mijë euro dënim

Një rast jo fort i zakontë dhe skandaloz ka ndodhur në fshatin Carallukë të Malishevës, ku një burrë është detyruar nga pleqtë e lagjes të paguajë 45 mijë euro në emër të nderit, për shkak të dyshimeve që familja kishte ndaj tij për tradhti. Gazeta Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive nga ky rast tipik që ndodhë në familjet patriarkale, ku nderi është mbi gjithçka, edhe mbi jetën. Për ruajtjen dhe mbrojtjen e nderit njerëzit detyrohen edhe të paguajnë.

Një rast i tillë skandaloz, ku sanksionohet një person për shkak të nderit po ndodhë edhe në shekullin e 21-të, në vitin 2022 në Kosovë.

Sinjali ka mësuar se gjithçka u zbulua pas raportimit të një rasti të dh unës në familje, nga një grua nga fshati Carallukë i Malishevës, e cila e ka denoncuar bashkëshortin e saj për dh unë fizike.

Në dëshminë e dhënë nga viktima gjatë intervistimit para hetuesve policorë ajo ka deklaruar motivin e dh unës që ka pësuar nga burri i saj. Sipas saj, ngjarja ka ndodhur pas dyshimeve që ishte ngritur në familje se ajo po e tradhton bashkëshortin me një familjar të tij.

Akuza për tradhti siç duket alarmoi gjithë familjen, për çka u paguan mijëra euro nga personi me të cilin akuzohej viktima se kishte pasur një lidhje.

Sipas burimeve të Sinjalit, personi me të cilin akuzohej se gruaja e tradhtoi bashkëshortin e saj ishte nipi i familjes së këtij të fundit. Për t’i rregulluar raportet familjare, në emër të nderit, nipi u detyrua të paguajë. Pleqtë e lagjes ia shqiptuan atij një dënim, duke e detyruar të paguajë 45 mijë euro, si dëmshpërblim për kthim të nderit të familjes.

Pretendimet e viktimës u vërtetuan nga vjehrri i saj. Policia u vu në lëvizje dhe intervistoi të njëjtin për të kuptuar rrethanat e ngjarjes dhe doli se deklarata e gruas që denoncoi rastin ishte e vërtetë.

Vjehrri i saj e ka pranuar se pleqtë e lagjes e kanë dënuar nipin e familjes me 45 mijë euro, duke u pajtuar që kjo shumë e parave të paguhet dy herë radhazi, pjesa e parë prej 25 mijë eurosh në ditën e gjykimit me Kanun, kurse 20 mijë euro të tjera të paguhen më 10 gusht.

Lidhur me rastin, Sinjali mëson se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “detyrim” dhe të sigurohet prezenca e të dëmtuarit, ashtu që që të merren gjitha versionet e këtij gjykimi nga pleqtë e Malishevës, të cilët ndanë drejtësinë me Kanun.