




Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës ka kryer një bastisje në Kodrën e Trimave në Prishtinë, ku cak ishte shtëpia e një personi që dyshohet që ka gjuajtur me armë mbrëmë në rrugën “Asllan Pireva” në kryeqytet. Kjo bastisje përfundoi me pIagosje, pasi që Policia u detyrua të qëllojë mbi të dyshuarin, që tanimë gjendet në gjendje të rëndë shëndetësore.





Rreth orës 08:30, Policia ka shkuar të zbatojë një urdhëresë për bastisje ndaj të dyshuarit, Bajram Babiq, mirëpo policët kanë hasur në rezistencën e tij. Siç raportoi Sinjali më herët, Babiq ua ka drejtuar armën policëve dhe kësisoj, njëri nga zyrtarët policorë është detyruar të qëllojë mbi të, duke e lënë të pIagosur.
I dyshuari menjëherë është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku është futur në sallën e operacionit që të operohet.





Mjekja kujdestare në Emergjencë, Dafina Basholli, i tha Sinjalit se i dyshuari është pranuar në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në lidhje me këtë janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët kanë thënë se polici është detyruar që të qëllojë mbi të dyshuarin që ta mbrojë veten e tij.
Sipas Policisë, me të arritur në lokacion-shtëpinë e banimit të personit të dyshuar policia ka hasur në personin e dyshuar, i cili papritmas ka drejtuar armën në drejtim të zyrtareve policor duke ua rrezikuar jetën e tyre.





“Falë shkathtësive dhe veprimeve të shpejta të zyrtarit policor i njëjti në vetëmbrojtje ka përdorur armën ndaj personit të dyshuar me qellim të neutralizimit të rrezikut për jetën e tij dhe kolegeve të tjerë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Njësitet policore ne vendin e ngjarjes kanë hasur një arsenal armësh që posedonte personi i dyshuar.