DMCA.com Protection Status

Vuçiq me ‘kërcënim’ ndaj Kosovës: Nëse aplikon për Këshill të Evropës, do t’ia tregojmë dhëmbët

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, iu është drejtuar qytetarëve në një konferencë për media dy ditë pas takimit në Berlin me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe darkës joformale me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Vuçiq në deklaratën e tij, ka ‘kërcënuar’ Kosovën që ka në plan të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, raporton tanjug.

Ai ka thënë se përgjigja e Serbisë në ditën kur Kosova do të bëjë kërkesë zyrtare për pranim në KE dhe do të shkelë Marrëveshjen e Uashingtonit, “do të jetë e fortë dhe serioze”.

“Është detyra jonë të mbrojmë dhe mbrojmë vendin dhe Kushtetutën. Atë ditë që marrim vesh që kanë aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në ndonjë organizatë, përgjigjja jonë do të jetë shumë më e fortë sesa që mendojnë ata e nuk do të jetë vetëm deklaratë për media. Më besoni se do t’ua tregojmë dhëmbët goxha shumë”, ka deklaruar Vuçiq.

Tutje, Vuçiq ka hedhur poshtë disa nga pretendimet se presidenti serb gjatë qëndrimit në Berlin, ka pasur darkë me Kurtin, pas takimit me Lajçak.

“Nëse kam qenë me Kurtin, unë nuk jam më president i Serbisë që sonte”, u shpreh Vuçiq.