DMCA.com Protection Status

Deklarata e Putinit për Kosovën “trondit” Serbinë

Deklarata e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që në një mënyrë e njohu Pavarësinë e Kosovës e ka tronditur Serbinë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranoi se gjenden në një pozitë të vështirë pas deklarimit të homologut të tij rus i cili mori si shembull krahasues vendimin e GJND-së për Pavarësinë e Kosovës duke e kërkuar të drejtën për vetëvendosje për popullin e rajonit të Donbasit.

“Ka pasur shumë ndryshime, por dua t’i njoftoj qytetarët për gjëra thelbësore dhe të kuptojnë më mirë pozicionin e Serbisë. Situata jonë ka ndryshuar shumë për të keq pas deklaratave që i ka bërë për Kosovën presidenti i Rusisë Vladimir Putin. Jo, që ka pasur ndikim në Serbi, por se çështjen e Kosovës e ka vendosur në një aspekt tjetër – aspekt të mbrojtjes së interesave ruse”.

Vuçiq në adresimin e sotëm citoi fjalë për fjalë deklarimin që Putin kishte në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, derisa vlerëson se më këtë Putin dëshiron ta justifikojë shpalljen e pavarësisë së republikave të Donbasit.

“Vladimir Putin ka vepruar për të mbrojtur interesat ruse dhe ka gjetur një vështrim ligjërisht të drejtë për të mbrojtur pushtimin e Ukrainës”, tha presidenti serb.

Ai tha se të gjithë liderët evropianë që kanë biseduar me Putinin kanë thënë se presidenti rus ka insistuar për çështjen e Kosovës.

Vuçiq nuk e beson se Rusia do ta njohë Kosovën, por thotë se “do të jemi nën presion të madh”.