DMCA.com Protection Status

I jepet lamtumira e fundit 23 vjeçarit Fazli Hoxhaj (VIDEO)

Një objekt i madh i hapur, është mbushur me karrige. Disa të rinj bartin disa tavolina e dërrasa. Shumë pak flasin mes vete, por fytyrat e tyre flasin shumë dhe për vetëm një gjë: dhimbjen e madhe. Askush nuk është në gjendje të flasë dhe është e kuptueshme: kanë humbur familjarin e tyre, 23 vjeç, pas një v rasjeje që ndodhi të enjten mbrëma.

Gllobovc, 29 prill 2022

Rruga deri në fshatin Gollubovc të Malishevës është një rrugë që kalon mes fshatrave Cerovikë e Plloqicë. Që nga fshati Kijevë e deri tek Gollubovci, këdo që e ndalon ta pyesësh për fshatin, e dijnë pse po i pyet. “Te ajo familja a Fazlisë a?”, pyesin të gjithë banorët e fshatrave. “Ah bre çfarë rasti i randë, shpirtin me ta këputë”, thotë një banor i Plloqicës, fshati para se të hysh në Gollubovc. Aty, deri të enjten mbrëma ka jetuar Fazli Hoxha, djali 23 vjeçar, i cili u v ra mbrëmjen e së enjtes.

Rrëfimi zyrtar për ngjarjen është ky: V rasja ndodhi pasi ai bashkë me disa anëtarë të familjes kishin shkuar tek ‘Ujëvara e Mirushës’ për të ngrënë iftar. Por kjo mbledhi me familjarët, kishte qenë e fundit për 23-vjeçarin. Pas përfundimit të darkës, Fazliu bashkë me vëllezërit e tij, u përballën me disa persona që, siç duket, po i prisnin në parkingun e restorantit. Pasi Fazliu me vëllezërit dolën nga restoranti, të dyshuarit nisën të gjuanin me armë zjarri në drejtim të tyre, ku si pasojë i v rarë mbeti 23-vjeçari Fazli Hoxha, e u plagosën dy vëllezërit e tij.

Kur mbërrin te hyrja e fshatit Gollubovc, ndihet tensioni dhe mbizotëron heshtja. Është mesditë. Vetura të ndryshme kanë nisur të zbarkojnë në fshat, dhe burrat e fshatit bashkë me familjarë po kryejnë përgatitjet për hapjen e të pames. Një objekt i madh i hapur dhe i pameremetuar tashmë ishte mbushur me karrige dhe njerëz. Nga kodra e rrugës kryesore të fshatit shihen disa djem e burra duke bërë përgatitjet e fundit.

Afrohem që të flas me dikë që është afër. Si gazetar gjithmonë jam pyetur nëse është në rregull që të kërkosh nga familjarët që të flasin për ty, kur ende nuk kanë kaluar as 24 orë nga vdekja, e në këtë rast v rasja e 23 vjeçarit. Kjo dilemë bëhet edhe më e fortë sa afrohem tek e pamja.

“Mirëdita burra, zoti ju lashtë shnosh”, i drejtohem dy burrave që gjindeshin krejt në krye të rrugës. “Kofshi shnosh dashamir”, ma kthejnë ata. Pas meje është edhe një ekip i një televizioni nacional në Kosovë. Burrat e vërejnë se kanë ardhur gazetarët dhe ende pa iu prezentuar se jam gazetar, nisin e flasin: “Ju lutna mos xhironi, nuk don kërkush me folë, nuk jena në gjendje!”, thotë njëri nga ta.

“Mos na mundoni, e mos na shtoni ma shumë dhimbjen!”, flet një burrë tjetër. I gjendur para një situate të tillë, ndjesia është e çuditshme: a të insistoj për të folur me dikë, apo thjesht të futem brenda dhe t’i ngushlloj?

“A bon me hy për kryeshnosh?”, e pyes një nga ta. “Por more qysh jo, mirëardhsh e falemnderit”, më thotë njëri nga ta.

Te hyrja e objektit sapo më shohin ngriten në këmbë burrat që ishin aty. Duke mos dashur që t’i frikësoj apo të shkaktoj ndonjë ndjesi të keqe për ta, pas gjithë kësaj tragjedie që u ka ndodhur, nuk prezantohem si gazetar.

“Mirëdita burra, e zoti ju lashtë shnosh”, e përsëris vazhdimisht këtë frazë. Brenda objektit më presin edhe dy burra të tjerë. Çka t’u them? Brenda disa sekondave e vendosi: “Nuk e kam njoftë personalisht Fazlinë, por meqenëse jam i kësaj ane, më preku shumë. Ngushëllime e mos u mërzitni.”

Për disa sekonda ndihem në siklet të madh dhe vendos të dal nga aty. Përshendetem me ta dhe e lë “vendin e të pames”. Vazhdoj të endem nëpër fshat.

Bashkëmoshatarët e Fazliut të shokuar

Jo shumë larg vendit ku ishte hapur e pamja, gjenden varrezat e fshatit Gollubovc. Aty është edhe varri i babait të 23-vjeçarit, nga i cili e ka trashëguar edhe emrin e tij. Fazli Hoxha është emri i dëshmorit që ishte v rarë në M asakrën e Gollubovcit. Disa muaj pas kësaj masakre kishte lindur djali i 9-të. Atij do t’ia linin emrin e babait. Për krejt këto vite ai do të shndërrohej në krenarinë e familjes, duke qenë edhe nxënës i mirë, edhe student i Fakultetit Juridik krejt në prag të diplomimit. Kishte punuar qysh si i ri në një “autosallon”, një pikë shitjeje e veturave që mbante emrin e tij dhe të babës “Fazlia”. Tash në atë objekt nuk është askush. Të premten ishte i mbyllur. Të rinjtë e asaj ane që e kanë njohur 23-vjeçarin janë të shokuar. Dikush e njeh si djali që kanë luajtur futboll, dikush si djali që ka punuar në autosallon, por të gjithë kanë vetëm fjalë të mira për të. Normalisht janë të shokuar.

“Unë e kam takuar dy-tri herë. Djalë dukat”, më thotë një bashkëmoshatar i tij. E kuptueshme, askush nga ta nuk dëshiron të identifikohet.

“Unë e kam taku shpesh në autosallon, nuk e di që më ka ra me nejtë me naj djalë ma të mirë në këto anë”, më thotë një punëtor i një dyqani jo shumë larg autosallonit ”Fazlia”.

“Kena lujtë futboll bashkë. S’ka pasë djalë ma të mirë”, thotë një tjetër, duke shtuar edhe një detaj: “ka qenë marakli në kerre, ama jo me i grahë keq”.

Pasioni i 23-vjeçarit për veturat vërehet edhe në profilet e tij në rrjete sociale. Sidomos në Instagram ku të rinjtë shpërfaqin më shumë pasionet e tyre. Në Instagram ai vërehet se ishte i dashuruar me punën e tij dhe reklamonte vazhdimisht punën dhe autosallonin. Teksa me veturë po e linim Kijevën, vendi ku gjendej autosalloni dhe rrugës për Prishtinë, tentoj t’i thërras edhe institucionet e Policsë e Prokurorisë për të marë më shumë informata. Por ato ende janë të njëjta: Policia, në vendin e ngjarjes ka gjetur e më pas edhe ka sekuestruar gjësende të rrezikshme si thika, zinxhirë, lopatë, që për organet e hetuesisë flasin për një “pritë” klasike të organizuar nga të dyshuarit.