DMCA.com Protection Status

Biznesmeni i njohur grabitet në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, i marrin shumë marramendëse të parave

Drejtori i klinikës për mbjelljen e flokëve “Vatan Med”, Isa Yilmaz ka rënë sonte pre e grabitjes në autostadrën “Ibrahim Rugova”, derisa po lëvizte me veturën e tij të tipit Mercedes. Ai u përballë me dy persona që e ndaluan duke pretenduar se janë policë dhe i morën një shumë të majme parash, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu kanë bërë të ditur burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë dhe kanë dhënë detaje ekskluzive nga denoncimi i Yilmaz.

Siç mëson Sinjali, në deklaratën e tij thuhet se derisa ishte në veturë me avokatin e tij, u ndalua nga dy persona me një veturë të tipit Audi A5, të cilët fillimisht i kërkuan që të ndalej, duke e sinjalizuar.

Në momentin që Yilmaz ka zbatuar “urdhrin” e dy të rinjve të dyshuar, njëri prej tyre i është prezantuar si polic dhe i ka kërkuar që të largohej nga vetura sepse do ta kontrollonin.

Sipas burimeve të Sinjalit, “kontrolli” në të vërtetë ishte grabitje, pasi dy personat e dyshuar e morën një çantë që ndodhej brenda veturës, në të cilën ishin 50 mijë euro para të gatshme.

Në denoncimin e bërë në Polici, Sinjali mëson se Yilmaz ka deklaruar se personat që e ndaluan dyshon se kanë pasur a rmë në brez, po të cilat nuk i kanë ekspozuar.

Grabitësit pasi kanë kryer “kontrollin” në veturë kanë marrë paratë dhe ia kanë mbathur me veturën e tyre me xhama të zi, në drejtim të Prizrenit, duke lëvizur me shpejtësi të madhe.

Rasti nuk është raportuar posa ka ndodhur, pasi sipas viktimës të dyshuarit ia kanë marrë edhe telefonin dhe kësisoj s’ka arritur t’i denoncojë.

Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e reja që do të dalin nga ky rast.