DMCA.com Protection Status

Ngjarje e rëndë: 27-vjeçari humb jetën pasi e zuri rryma duke punuar

Sot rreth orën 10:16, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në lagjen “Dardania 3” në qytetin e Pejës, ku një person ka vdekur si pasojë e rrymës elektrike.

Burimet e Gazetës Sinjali njoftojnë se i ndjeri 27 vjeç ka qenë duke punuar me vinç në kohën kur ka ndodhur rasti.

Ai ka qenë duke i vendosur disa shtylla të betonit dhe më pas njëra shtyllë i ka prekur telat e rrymës, të cilët e kanë përçuar rrymën deri te i riu, duke e lënë atë të vdekur.

Siç mëson Sinjali, i ndjeri ka qenë bashkë me vëllain e tij, i cili ka marrë lëndime trupore por ende nuk dihet shkalla e lëndimit të tij.

Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se do të dalin me detaje pak më vonë.

“Rreth orës 10:16 Policia është njoftuar se në lagjen ‘Dardania’ në Pejë një punëtor i cili ishte duke kryer disa punime nga pakujdesia ka pasur kontakt me rrymën. I njëjti është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij”, tha ai.