DMCA.com Protection Status

Thaçi po akuzohet për instalimin e liderëve kyç në Kosovë (VIDEO)

Kosovo's President Hashim Thaci speaks during a news conference as he resigns to face war crimes charges at international court in Pristina, Kosovo, November 5, 2020. REUTERS/Laura Hasani

5 nëntori i 2020-ës ishte dita e fundit e Hashim Thaçit si president i Kosovës. Një ditë më vonë ai u nis në Hagë të Holandës për t’u përballur me akuzat për krime lufte në Gjykatën Speciale.

Ani se i shkëputi angazhimet politike, Thaçi po përmendet për ndikimin e tij, edhe pas kësaj periudhe.

Organizata amerikane Freedom House, në raportin që flet për vitin 2021, jep vlerësime çuditëse, duke e lidhur ish-presidentin Thaçi dhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, me krim e korrupsion. Ndonëse shtetin e drejtojnë kundërshtarët e tyre më të mëdhenj politikë.

“Figura të mëdha politike në Kosovë, përfshirë ish-presidentin Thaçi dhe ish-kryeministrin Haradinaj, kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, të cilët luajnë rol të fuqishëm në politikë dhe kanë ndikuar në instalimin e liderëve kyçë”, shkruhet në raport, njofton Klan Kosova.

Në anën tjetër, në të njëjtin raport lëvdohet procesi zgjedhor i 14 shkurtit ku Vetëvendosje mori 51 për qind. Ndërsa thotë se qeveria dhe presidenti u zgjodhën në procedura normale dhe të lira.

Për këtë arsye, demokracisë kosovare iu ngrit nota në 3.25, ani pse ende cilësohet me liri të pjesshme. Përmirësim për çerek note ka edhe në pavarësinë e gjyqësorit.

Megjithatë, Freedom House thotë se institucionet ende mbeten të dobëta në luftimin e korrupsionit dhe kapjes së shtetit, ndërsa theksohet ndikimi i politikës në arsim. Po ashtu, përmenden edhe ndërhyrjet politike në media.

Raporti thotë se Kosova mbetet e hapur ndaj ndikimeve të jashtme.

“Serbia ende ruan ndikimin në veri të Kosovës, ku institucionet kosovare nuk kanë prezencë të fortë. Qeveritë ruse, kineze dhe turke kanë ushtruar gjithashtu ndikim mbi proceset qeveritare në Kosovë gjatë viteve të fundit”, shkruhet tutje.

Nota e përgjithshme për Kosovën në këtë raport është 56 pikë nga 100 gjithsej.