DMCA.com Protection Status

Drama e rrëmbimit të 24-vjeçarit nga Prishtina, këta janë dy të rinjtë e dyshuar

Një skenë rrëmbimi si në filma u raportua dje në Policinë e Kosovës. Një 24-vjeçar u vu në grackë nga dy vajza dhe më pas u rrëmbye nga dy të dyshuar, njëri prej të cilëve është ndaluar. Gazeta Sinjali dje raportoi për detajet e ngjarjes, ndërsa sot iu sjellë identitetin e të dyshuarve.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se personi që u dërgua në mbajtje si i dyshuar për përfshirje në këtë rast është Lion Gashi, 22-vjeçar.

I njëjti fillimisht nuk u gjet nga Policia, por më pas u vetëdorëzua në stacion policor, ku është intervistuar dhe më pas me urdhër të prokurorit të Krimeve të Rënda është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërsa personi tjetër që gjendet në arrati që po ashtu dyshohet se rrëmbeu 24-vjeçarin është Albin Hoxha, 21-vjeçar.

Sipas burimeve të Sinjalit dy vajzat që kanë vënë në grackë 24-vjeçarin që u rrëmbye janë Bleona Beqiri, 22-vjeç dhe Sara Dobratiçi, 19-vjeç.

Katër të dyshuarit përgatitën në detaje planin për rrëmbimin e të riut, të cilit i parapriu një suIm me th ikë. Siç mëson Sinjali, i riu nuk është gjetur ende nga Policia e Kosovës.

Por si ndodhi ngjarja?

Viktima (emër i njohur për redaksinë) fillimisht ishte kontaktuar përmes rrjeteve sociale nga dy të dyshuarat, të cilat kanë ndihmuar që i riu të rrëmbehet. Dy të rejat pasi kishin komunikuar me 24-vjeçarin, të njëjtin e kanë marrë me një veturë BMW, për ta “dorëzuar” më pas te një veturë tjetër.

Vajzat dyshohet se u ndihmuan në rrëmbimin e 24-vjeçarit, duke e dërguar të njëjtin në rrugën “Hil Mosi”, aty ku e prisnin dy të dyshuarit e tjerë, të cilët e futën në një veturë “Golf 7”, raporton Gazeta Sinjali.

Rrëmbimit i parapriu një suIm me th ikë ndaj viktimës, që dyshohet se u bë me “plan” që i njëjti të futet me forcë në veturën e të dyshuarve.

Sipas burimeve të Sinjalit, Policia është njoftuar për rastin, me ç’rast një njësi policore është dërguar në lokacionin ku ka ndodhur ngjarja.

Vetura e dyshuar BMW është lokalizuar dhe në të janë hasur dy të dyshuarat B.B dhe S.D., të cilat janë prangosur dhe më pas është bërë identifikimi i të dyshuarve tjerë.

Vajzat e dyshuara pasi ranë në prangat e Policisë u dërguan në stacion policor për të dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin. Ndërsa, me urdhër të prokurorit janë zhvilluar edhe bastisje.

Burimet e Sinjalit tutje kanë bërë të ditur se bastisje janë kryer në banesën e të dyshuarit A.H., ku as ai e as personi i rrëmbyer nuk janë gjetur në atë lokacion. Derisa i dyshuari tjetër Lion Gashi, i cili fillimisht nuk është hasur në shtëpinë e tij, pas kontrollit nga zyrtarët policorë, është paraqitur vet në stacion policor.

Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e ngjarjes.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.