DMCA.com Protection Status

Kosova pritet të blej mjete ushtarake nga Kroacia (FOTO)

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, ka njoftuar se gjatë vizitës së tij në Kroaci është takuar me homologun kroat, Mario Banoziç, me të cilin është pajtuar për realizimin e marrëveshjes në fushën e blerjeve ushtarake “Shtet me shtet”.

Ai përmes një postimi në Facebook, bëri të ditur se gjatë takimit janë pajtuar për mundësinë e pjesëmarrjes në operacione të përbashkëta paqeruajtëse.

“U dakorduam për realizimin e marrëveshjes në fushën e blerjeve ushtarake ‘Shtet me shtet’, për mundësinë e pjesëmarrjes në operacione të përbashkëta paqeruajtëse, si dhe për Memorandumin e ri të Mirëkuptimit mes dy ministrive të mbrojtjes, që do të nënshkruhet së shpejti mes nesh, në Prishtinë”, ka shkruar Mehaj.

Po ashtu, ministri Mehaj ka theksuar se në takim kanë ripërsëritur rëndësinë e dialogut strategjik midis dy vendeve në kontekstin e interesit të përbashkët për stabilitetin e Evropës Juglindore.

“Me këtë rast vlerësova lart, edhe njëherë, rolin dhe kontributin e madh të kontingjentit kroat në kuadër të KFOR-it”, shtoi ai.

Gjatë takimit i pranishëm ishte edhe Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, i cili së bashku me Mehajn e kanë njoftuar ministrin Banoziç, mbi situatën aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë, veçanërisht për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.

Në anën tjetër, Mehaj ka thënë se Kroacia është partner i fuqishëm i Kosovës “me të cilin do të rrugëtojmë së bashku në perspektivën e sigurt zhvillimore në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”.

Ndërkaq, javë më parë Mehaj ka qëndruar në vizitë treditore në Mbretërinë e Bashkuar.

Përmes një shkrimi në Twitter nga Ministria e Mbrojtjes së Britanisë është bërë e ditur se me Kosovën kanë rënë dakord për një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, që mbulon fushat kryesore si trajnimi i përbashkët, angazhimi operacional dhe shkëmbimi i praktikave më të mira.

Lidhur me këtë Ministria e Mbrojtjes së Britanisë, u shpreh se Kosova është një partner i çmuar i mbrojtjes dhe Britania do të vazhdojë të punojë ngushtë për të siguruar stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

“Ishte fantastike të nënshkruaj një marrëveshje historike sot, e cila na vë themelet për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin tonë”./albanianpost