DMCA.com Protection Status

Radoiçiq në shqip: Politikanët kosovarë me premtuan kulla e qytete që të jem në anën e tyre, me të gjithë jam zatet (VIDEO)

Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte thënë rreth dy vjet më parë se ishte takuar me të gjithë pushtetarët e Qeverisë së Kosovës.

Në një intervistë për Klan Kosovën, ai kishte thënë në gjuhën shqipe se ka takuar të gjithë qeveritarët e Kosovës. Këtë deklaratë e kishte dhënë pas përplasjes mes ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe ish-presidentit Hashim Thaçi lidhur me takimet e pretenduara të tyre me figurën famëkeqe të veriut.

Haradinaj, i cili ishte fotografuar në shoqërinë e Radoiçiqit në korrikun e vitit 2017, kishte akuzuar ish-presidentin Thaçi se edhe ai ishte takuar për “më shumë se një orë e gjysmë” me Radoiçiqin. Kishte thënë se ka qenë prezent edhe ai në takim.

Radoiçiq, në intervistën e tij, akuzonte politikanët shqiptarë për premtime të pambajtura ndaj serbëve të Kosovës.

“Kështu do të them unë. Jam takuar me të dytë. Kam takuar edhe të tjerë, dhe secili prej tyre u ka premtuar serbëve kulla e qytete që të jenë në anën e tyre dhe jo me të tjerët. Por, ne nuk mund të shkelemi mbi interesat jetësore të serbëve”, ka thënë ai.

Duke folur në gjuhën shqipe, ai thotë se ka takuar të gjithë qeveritarët.

“Krejt qita që i ke në pushtet me të gjithë jam zatet”, kishte thënë Radoiçiq.