DMCA.com Protection Status

“Kualiteti tepër i lartë, s’mund t’i dallosh pa aparat’ – Qytetarët po ‘tmerrohen’ me para false, përditë raportohen dhjetëra raste

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në qarkullim në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedha e cila raportohet më së shumti si e falsifikuar është ajo prej 100 euro. Brenda pak javësh janë raportuar dhjetëra raste, derisa janë sekuestruar edhe mijëra euro.

Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë, bëjnë të ditur se ka ditë që hapen deri në 5 raste për falsifikim të parave.

Sipas burimeve, kualiteti i parave false është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.

Edhe në raportin 24 orësh të Policisë, çdo ditë raportohet numër i madh i rasteve të falsifikimit të parave.

Në raportin e Policisë për ditën e martë, janë raportuar katër raste të falsifikimit të parasë në kartëmonedha dhe monedha të ndryshme. Kartëmonedha që dominon si false është pikërisht 100 euroshja. Rastet janë raportuar në Prishtinë, Ferizaj dhe Vushtrri.

Në ditën e mërkurë, Policia ka njoftuar se është raportuar një rast i falsifikimit të parasë. Bëhet fjalë për një kartëmonedhë 100 euro, të cilën e ka raportuar në Polici një grua në Prishtinë.

Një rast i falsifikimit të parave është raportuar edhe të enjten e 7 prillit, ku Policia njofton se një person në Vushtrri ka deponuar një kartëmonedhë 100 euro e cila dyshohet të jetë false.

Por të premten vetëm në Prishtinë janë raportuar tri raste të falsifikimit të parave. Në dy banka dyshohet se janë deponuar dy kartëmonedha nga 100 euro dhe 50 euro, ndërsa një grua ka raportuar se hasur në një kartëmonedhë 100 euro e cila dyshohet se mund të jetë falsifikuar.

Në ditën e njëjtë, në raport bëhet e ditur se lidhur me rastin e falsifikimit të parasë që ishte denoncuar më 26 shtator të vitit të kaluar, është arrestuar një person i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Tri raste të falsifikimit të parasë janë raportuar edhe sot në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, ku bëhet e ditur se një zyrtare banke në Prishtinë ka lajmëruar Policinë pasi që është deponuar një kartëmonedhë në vlerë 100 euro e cila dyshohet se mund të jetë e falsifikuar. Rasti i dytë po ashtu është denoncuar nga një zyrtare banke në Prishtinë, dhe sërish bëhet fjalë për një kartëmonedhë 100 euroshe e cila dyshohet se është false.

E rasti i fundit është denoncuar nga një mitrovicas, i cili ka raportuar në Polici se ka pranuar nga një klient një kartëmonedhë prej 100 eurosh që dyshohet të jetë e falsifikuar.

Ky trend është shfaqur edhe në rrjete sociale, madje në TikTok është një llogari e cila ka emrin “porositparefallc”, ku vazhdimisht publikohen video me para të falsifikuara të cilat bëhen me porosi për klientë të ndryshëm.

Faqja ka mbi 800 ndjekës dhe mijëra pëlqime në videot ku paraqiten paratë false në vlera të ndryshme.

Ndryshe, të dyshuarit për këtë vepër penale në shumicën e rasteve veprojnë bashkarisht. Një grup i tillë ka qenë nën llupën e Drejtorisë rajonale në Gjakovë që një kohë, derisa u kap pak javë më parë.

Policia në Gjakovë më 23 mars ka arritur t’i prangos shtatë persona, të cilët dyshohen për falsifikim të parave.

Fillimisht, zyrtarët policorë kanë arritur t’i arrestojnë pesë të dyshuar dhe më pas edhe dy të tjerë, për ta kompletuar grupin që dyshohej se vënin në qarkullim para false.

Kujtojmë se falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.