DMCA.com Protection Status

Aksion i Policisë, arrestohet supermashtruesi që përfitoi gati 100 mijë euro nga 7 persona

Policia e rajonit të Prishtinës, respektivisht, njësiti i hetimeve të stacionit policor Qendra, ka arrestuar një të dyshuar për veprat penale: Mashtrim, Falsifikim dokumenti si dhe Legalizim i përmbajtjes së rreme.

Sipas informacioneve të deritanishme, janë ngritur dyshimet se, i dyshuari duke prezantuar rrethana të pavërteta ka arritur të mashtroj së paku shtatë persona dhe të përfitoj nga viktimat rreth 99.500 euro, duke u premtuar të njëjtëve shitjen e pronës në një para lagje të Prishtinës.

I njëjti përmes mashtrimit dhe falsifikimit dyshohet të ketë lidhur disa kontrata shitblerjeje me palë të ndryshme vlera e të cilave arrin qindra mijëra euro.

Që nga marrja e informacioneve të para më datë 16.11.2021, njësia e hetimeve të stacionit policor Qendra, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka kryer veprime hetimore dhe veprime të tjera operative që rezultuan me identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarit; E. C. 41 vjeç, mashkull, shtetas i republikës së Kosovës.

I dyshuari u arrestua sot nga ana e policisë nën dyshimin për veprat penale të sipër cekura.

Ndërkohë janë identifikuar dhe janë në kërkim policor edhe dy të dyshuar të tjerë që dyshohet të jenë të implikuar në rastin e njëjtë.

I dyshuari me aktvendim mbi ndalimin e personit të arrestuar, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është dërguar në mbajtje prej 48 orësh, si vijimësi e fazave të mëtejme të procesit hetimor.