DMCA.com Protection Status

FIKË se FIKË, bile me muzikë: Në Telekom u shpikën 200 vende pune, u punësuan muzikantë, piktorë…

Ushtruesi i detyrës së drejtorit teknik të Telekomit, Halil Krasniqi, ka thënë se në procesin e transformimit të Telekomit kanë ulur në 300 numrin e titujve të punës, nga 500 sa ishin. Sipas tij, në Telekom janë punësuar njerëz që me profesion janë muzikantë, piktorë e të tjera, që s’kishin të bënin me punët në këtë ndërmarrje.

Për normalizimin e numrit të punëtorëve, menaxhmenti i ri i Telekomit së bashku me Qeverinë e Kosovës, ka krijuar pako dalëse.

“Në total janë 2.200 punëtorë. Ka nevojë për shumë punëtorë, por jo për 2.200. Ka pasur tituj pune të panevojshëm, është reduktuar numri nga 500 në 300. Ka punëtor që nuk e bëjnë punën me qejf, pasi as nuk e kanë ëndërruar një punë të tillë, por për shkak të një rroge kanë hyrë aty. Ka punëtorë me profesion muzikant, piktor e të tjerë. Këto janë raste të rralla, por kjo e tregon fenomenin. Për ta normalizuar numrin e punëtorëve, Qeveria na ka ofruar dy pako. Pako A është për punëtorët që pensionohen gjatë viteve 2023 – 2026 të marrin 60 për qind të pagës bruto për vitet e mbetura dhe t’u paguhen po kaq edhe kontributet personale. Pako B është për punëtorët e lartpërmendur, pra ata që duan të largohen në mënyrë vullnetare. Ata do t’i marrin 24 rroga të plota. Por jo ata që janë të kualifikuar për punën në Telekom. Ata i mbajmë sepse na duhen”, ka thënë Krasniqi në “Java Sonte Me Rronin”.

Sipas Krasniqit, këto pako s’janë bërë për t’i shantazhuar punëtorët. “Sepse nëse zhvillohet Telekomi, ne do të kemi nevojë për këta punëtorë. Por jo në këtë gjendje”, ka thënë tutje ai.

Përveç çështjes së arbitrazheve dhe atyre gjyqësore, Telekomi ka edhe 5 mijë lëndë aktive për degradime nga punëtorët. Sipas Krasniqit, në këto konteste janë në pyetje katër milionë euro.

“Por ndaj Telekomit ka edhe borxhe. Telekomit i detyrohet 11 milionë euro një bankë e cila ka falimentuar. Pastaj ka edhe borxhe të vogla. Ka borxhe të këqija, 25 milionë euro që na detyrohen të tjerët”, përfundoi Krasniqi, i cili shtoi se kontratat me mediat janë ndërprerë./koha