DMCA.com Protection Status

Rasti Brezovica – dorëzohet në polici biznesmeni i shpallur në kërkim (VIDEO)

Pas disa javësh në arrati, është dorëzuar në polici biznesmeni nga Ferizaj, Fatmir Grainca, i dyshuar për aferën “Brezovica”.

Burime të Paparacit kanë thënë se ai ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë.

Rrjedhimisht, ai do të tregojë për dhënien e ryshfetit rreth ndërtimeve në Brezovicë.

“Është dorëzuar të martën. Ka pranuar të bashkëpunojë dhe është liruar në procedurë të rregullt”, ka thënë një burim për mediumin.

Paparaci kishte raportuar ekskluzivisht se aksionari i klubit të Ferizajt dhe njëherësh anëtar i bordit, Fatmir Grainca, ndodhej në arrati nga drejtësia.

Grainca ishte në kërkim nga Policia e Kosovës. Ai dyshohet për përfshirje në aferën “Brezovica”.

Aksionari i klubit të Ferizajt, i cili momentalisht garon në Ligën e Parë dhe synon inkuadrimin në Superligë, dyshohet të jetë i përfshirë në ndërtimet e paligjshme brenda zonës së Parkut Kombëtar të Sharrit.

Mes tjerash, Paparaci pati raportuar se shtëpia e Graincës ishte bastisur në kuadër të aksionit “Brezovica 3”, mirëpo i dyshuari nuk ishte gjetur atëherë në shtëpi.

Përpos klubit të Ferizajt, Grainca ka në pronësi edhe aksionet e kompanisë që merret me tregtinë e karburanteve, HIT Petrol dhe N.T.P. KONSUM-F.G, e cila operon në fushën e tregtisë së artikujve ushqimorë në Ferizaj, bazuar në të dhënat publike pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve.

Në një njoftim për media në javën e parë të këtij muaji, Prokuroria e Shtetit konfirmoi të ketë kryer bastisje në katër lokacione të ndryshme në Kosovë, përfshirë edhe në Komunën e Ferizajt, ku ka rezidencën biznesmeni Grainca.

“Janë bastisur pesë lokacione: një në Lipjan, një në Skenderaj e pesë të tjera në Prishtinë”, tha, disa orë pas realizimit të aksionit, Rasim Maloku, Kryeprokuror i Prokurorisë në Ferizaj.

Edhe dy afaristë nga Komuna e Ferizajt, kanë arritur t’i shmangen aksionit policor.

Përveç Fatmir Graincës i cili i është dorëzuar organeve të sigurisë, Hajrush Ajvazi dhe Bashkim Hamiti, biznesmenë nga Ferizaj – të dyshuar për përfshirje në ndërtimet e Brezovicës – ndodhen në arrati.

Shtëpitë e të tre afaristëve janë bastisur në kuadër të aksionit “Brezovica 3”, por asnjëri nga ta nuk ishte hasur në shtëpitë e tyre, raportoi Paparaci, bazuar në burime brenda Prokurorisë, më 8 mars.

Paparaci ka mësuar se Bashkim Hamiti, një biznesmen ndërtimi, ndodhet tash e disa kohë në Gjermani. Hamiti ka udhëtuar nga Kosova drejt perëndimit të Evropës disa ditë para se të realizohej aksioni policor i së premtes.

Një audio-incizim që pubikoi Paparaci, zbuloi se si Hamiti kryente punë ndërtimi pa leje pëlqimi në Parkun Kombëtar të Sharrit.

Punimet i ekzekutonte në bashkëpunim me inspektorët e shtetit, e pranon Hamiti në audio-incizim. Audio-regjistrimi dëshmon pazaret e tij për ndërtime ilegale në Brezovicë.

“Me 1,000-1,500 euro ata [inspektorët,v.j] ndalen”, siguronte biznesmeni nga Ferizaj, bashkëfolësit e tjerë.

Por, në prangat e policisë ra familjari dhe ortaku i tij biznesor, Florim Hamiti. Ata pretendohen të jenë dy prej ndërtuesve më të mëdhenj në zonën e Brezovicës.

Ndërkaq, Fatmir Grainca, udhëheq me HiT-Petroll SH.P.K., një kompani që operon në tregtinë e karburanteve, inxhinierisë e këshillimit teknik.

Jo vetëm Hamiti e Ajvazi ndodhen në arrati. Një tjetër biznesmen i fuqishëm nga Ferizaj po e sfidon njëjtë shtetin për të njëjtin rast.

Abedin Salihu, i dyshuar po ashtu për implikim në aferën e lejeve ndërtimore në Brezovicë, ndodhet në arrati prej organeve shtetërore që i janë vënë atij pas lidhur me aferën e ndërtimeve në resortin turistik.

Salihu është udhëheqës i disa bizneseve afariste, kryesisht në fushën e ndërtimit dhe minierave e mineraleve. Është pronar i njërit prej hoteleve më të famshme të Brezovicës, të emërtuar me emrin e njëjtë sikurse të resortit turistik. “Brezovica Hotel Spa”, është regjistruar si biznes i hotelerisë katër vite më parë.

Paparaci, raportoi ekskluzivisht edhe për prangosjen e dy njerëzve të lidhur me politikën, dhe ndjekjen e një funksionari të lartë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Ilir Morina, ish-kryeshef i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zijadin Geci, këshilltar i ish-ministrave të Mjedisit, Alblena Reshitaj dhe Fatmir Matoshi, janë prangosur të premten e javës së parë të marsit.

Ata dyshohen për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar ‘Sharri’.

Ndërkaq, Berat Lahu, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ndodhet në kërkim policor, raporton Paparaci të premten e javës së kaluar. Shtëpia e asamblistit Lahu u bastis mëngjesin e së premtes, por ai nuk u gjend aty. Tanimë, ai ndodhet në kërkim policor.

Megjithatë, Gjykata Themelore në Ferizaj, ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh tetë të dyshuarve në rastin “Brezovica 3”.

Kurse, nëpërmjet një kumtese për media, Prokuroria e Shtetit, kishte konfirmuar të ketë kryer bastisje në katër lokacione të ndryshme në Kosovë.

“Janë bastisur pesë lokacione: një në Lipjan, një në Skenderaj e pesë të tjera në Prishtinë”, pati deklaruar Rasim Maloku, Kryeprokuror i Prokurorisë në Ferizaj.

Gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar: Dokumente të ndryshme, disa fletore me shënime, tri armë, një karikator me 5 fishekë të kalibrit 7.65mm, tre fishekë të kalibrit 6.35mm, 20 fishekë të kalibrit 7.62mm, një kompjuter, një veturë X6, pesë telefona e një orë dore. /Paparaci.com