DMCA.com Protection Status

Mund të përfundoja në burg nëse nuk do të zbardhej ky skandal

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, tha se po të mos ishte zbardhur rasti i njohur si “Syri i Popullit”, i njëjti sot do të mund të ishte në burg.

“Të mos ishte zbardhë njëri prej skandaleve më të mëdha të sistemit të drejtësisë, i cili u zbardh vitin e kaluar, unë ndoshta nuk do të isha këtu tu fol me ty, por do të isha në burg. Qikaq e thjeshtë është, unë do të isha në burg sot, nuk do të isha kryetar i Parlamentit, duke fol me ty”, ka thënë Konjufca në emisionin “Tempus”.

“Ndikimi politik u kanë qaq i tmerrshëm, sa që me fabriku edhe dëshmitarë për me montu një proces gjyqësor i cili mundet me të çu në burg. Pse? Se je opozitar.”, tha ai, duke shtuar se ka fabrikuar prokurori i cili e ka pasur çështjen.

“Syë Hoxha me sa e di. Po tash është çështje e drejtësisë qysh e argumenton pastaj një prokuror tjetër që e marr lëndën e tij, për me ardh deri te ndikimi pse ai e bën këtë punë Po ky ka qenë për shembull njëri prej skandaleve më të mëdha në Kosovë, nashta jo veç i vitit të kaluar, nashta prej pasluftës. Vetëm po du me thanë, që me këtë sistem të drejtësisë, shumë kollaj është edhe unë me pas aktakuzë.”, deklaroi kryetari i Kuvendit.

Një hulumtim i mediumit online Paparaci i publikuar në muajin nëntor, zbuloi përfshirjen e dy agjentëve të AKI-së në dhënien e deklaratave të rrejshme në procesin gjyqësor ndaj anëtarëve të organizatës së ashtuquajtur “Syri i Popullit”.

Sipas shkrimit hulumtues të mediumit Paparaci, ish-prokurori special, Sylë Hoxha në një marrëveshje gojore në janar të vitit 2018 me ish-drejtorin e AKI-së, Driton Gashi, kanë përfshirë dy agjentë në këtë skandal. Sylë Hoxha dhe Driton Gashi ishin marrë vesh gojarisht që AKI t’i pajisë me identitete të rrejshme dy zyrtarët të cilët kishin vëzhguar Sadri Ramabajën në restaurantin Panorama në Zllatar më datë 11 mars 2017.

Me ato identitete ishin prezantuar në gjykatë si dy qytetarë të thjeshtë – njëri cigareshitës, e tjetri i papunë. Në janar të vitit 2018, ata kishin dëshmuar rrejshëm kundër Ramabajës dhe të tjerëve në rastin gjyqësor të ashtuquajtur “Syri i Popullit”.

Këto dëshmi mbi të cilat është mbështetur aktakuza janë përdorur më vonë nga ish-presidenti Thaçi për ta akuzuar kryeministrin aktual, Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca për lidhje me terrorizmin, përkatësisht organizatën “Syri i Popullit”.