DMCA.com Protection Status

Haradinaj: S’është koha të flitet kush është veteran i vërtetë e kush jo

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes fjalimit të tij në seancën e sotme i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit, Albin Kurti, lidhur me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Haradinaj ka deklaruar se tani nuk është koha kur duhet të bëhet diskutimi se kush është veteran i vërtetë e kush jo, raporton Gazeta Sinjali.

“Nuk e meritojnë ofendimin që bash në këtë kohë, me e fillu edhe njëherë me i fillu diskutimet se kush është veteran i vërtetë, apo jo, kush është luftëtar i vërtetë apo jo. Nuk është koha e tillë. Ka pasur edhe një proces gjyqësor. Tash është koha kur duhet t’i respektojmë e t’i nderojmë ata”, ka thënë Haradinaj.

Ai teksa po fliste për m asakrat që janë kryer ndaj shqiptarëve në luftën e fundit në Kosovë, ka thënë se familjarët e të rënëve presin lajm të mirë nga institucionet e Kosovës, e që sipas tij është rritja e pensioneve.

“Sot, edhe Qeveria, edhe institucionet e vendit, edhe të gjithë ne, kur iu dalim përballë fëmijëve, të vejave, nënave, familjarëve të rënë për liri, të gjithë atyre që u mungojnë të dashurit e vetë, po edhe gjithë atyre që bartin plagët e luftës, atëherë ata meritojnë një lajm të mirë nga ne. Ata nuk e kanë lajmin e vetëm të mirë që e presin nga ne, që t’u rritën pensionet”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, kryeministri Kurti, ditë më parë ka folur për listat e veteranëve të UÇK-së, për të cilat ka thënë se janë të fryra.

Sipas tij, nuk janë 60 mijë veteranë siç janë deklaruar.

Për këtë, Kurti tha se mund ta gënjejnë veten, por nuk mund ta gënjejnë atë.

Ai tha se nuk janë më shumë se 20 mijë veteranë.

/GazetaSinjali/