DMCA.com Protection Status

Vjen reagimi nga kryeministri Kurti: Po përgaditemi për çfarëdo mësymje nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për situatën e sigurisë në vend, pas tensioneve të ngritura si pasojë e shpërthimit të luftës në Ukrainë. Kurti, ka thënë se qeveria po përgatitet që të mos befasohet nga ndonjë mësymje e mundshme ndaj Kosovës.

Ai ka thënë se janë identifikuar 10 organizata ekstremiste të djathta serbe që përpiqen ta destabilizojnë situatën e sigurisë në Kosovë. Sipas Kurtit, AKI i ka dërguar informacionet e gjetura në Prokurorinë e Shtetit.

“Janë 10 organizata ekstremiste serbe në Kosovë, të cilat propagandojnë urrejtje, jo vetëm nacionale por edhe fetare, dhe që kanë njëfarë frymë mesjetare të ortodoksisë mistike… dhe që e kanë një këmbë në Beograd dhe një në Moskë. Janë organizata si 1939 dhe Car Llazari, po i përmend vetëm dy, por ka edhe të tjera”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti ka thënë mbledhjet e Këshillit të Sigurisë janë shpeshtuar, dhe sipas tij, një e tillë do të mbahet edhe nesër.

“Kemi shpeshtuar mbledhjet e Këshilliut të Sigurisë, ku diskutojmë informacionet më të reja, bëjmë përgatitjet më të reja, sa i përket pajisjeve por edhe vëzhgimeve dhe aktiviteteve. Një takim e kemi edhe nesër”, ka thënë kryeministri në një intervistë për KTV-në.

“Në prapavijë, intensivisht jemi duke u përgatitur që të mos ketë kurrfarë befasie dhe institucionet të jenë të sinkronizuara dhe të jenë të përgatitura ndaj çfarëdo mësymje ndaj Kosovës nga kushdoqoftë”, ka shtuar Kurti.