DMCA.com Protection Status

Policia serbe arreston një kosovar në kufirin Hungari-Serbi, kjo është arsyeja

Policia serbe e ka arrestuar kosovarin Abaz Beqirajn mëngjesin e kësaj të diele në kufirin Hungari – Serbi.

Lajmin për Klankosaova.tv, e ka konfirmuar, vajza e Abazit, Melihate Beqiraj, e cila tha se babai i saj ka qenë në vizitë tek djali i tij në Gjermani ndërsa për arrestimin e tij janë njoftuar nga kompania me të cilën ishte duke u kthyer në Kosovë.

“Baba ka qenë për vizitë tek djali në Gjermani. Sot në 8:30 ka qenë në kufi me Hungarinë dhe Serbinë. Ka qenë t’u ardhur me autobus dhe ata na kanë lajmëruar se policia serbe na kanë arrestuar babin”, ka thënë ajo, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ajo thotë se familja e saj kanë tentuar të kontaktojnë edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, por kjo nuk ka qenë e mundur.

Beqiraj deklaroi se babai i tyre është i sëmurë dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme të tilla më parë.

Klankosova.tv ka kontaktuar edhe me kompaninë me të cilën Beqiraj ishte duke udhëtuar.

Sipas kompanisë, policia serbe kanë thënë se Abaz Beqiraj e ka një dënim të vitit 2010, por nuk dihet se i çfarë natyre ishte ky dënim, teksa shtuan se në pikën kufitare policia nuk ka paraqitur vendim të gjykatës.

“E kanë ndalur një udhëtar, por nuk dihet arsyeja. Ai është ndalur nga pala serbe, por sipas policisë, ai e ka një dënim të vitit 2010. Janë munduar të merret vesh se çfarë dënimi dhe policia nuk e kanë ditur dhe vendimi prej gjykatës nuk është paraqitur në pikën kufitare”, janë shprehur nga kompania, njofton Klankosova.tv.

Klankosova.tv ka çuar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe të MUP-i serb dhe është në pritje të një përgjigje zyrtare.