DMCA.com Protection Status

Dalin fakte të reja për 3%-shin, këta janë personat e dyshuar që morën qindra mijëra euro deri në vitin 2015

Eksperti financiar nga Drejtoria për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në kuadër të Policës së Kosovës, Bujar Qorrolli, ka thënë se nga të akuzuarit Naser Osmani e Atdhe Gashi si të autorizuarit e llogarisë bankare të OJQ “UFROK” në periudhën 2006-2012 kanë tërhequr para në shumën prej 332 mijë e 340 euro.

Një deklarim të tillë, eksperti financiar Qorrolli e ka dhënë të premten, në rigjykimin për rastin e njohur si “Fondi 3%” duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Special Atdhe Dema, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ish-deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani, Atdhe Gashi dhe ish-këshilltari i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil Bujar Bukoshi, akuzohen për veprën penale të shpërdorimit.

“Përveç mjeteve që kanë qenë në llogarinë e OJQ UFORK-ut deri në vitin 2012, në vitin 2012 ka qenë shuma 335 mijë e 632 euro e 10 cent. Kësaj vlere ja kemi rritur të hyrat nga shitja e një automjeti në vlerë 1 mijë e 500 euro në vitin 2012, mjetet të cilat kanë qenë në llogari gjithsej nga të autorizuarit Atdhe Gashi dhe Naser Osmani gjatë periudhës 2006-2012 janë tërhequr në të gatshme në vlerë 332 mijë e 340 euro nga llogaria e OJQ UFORK”, tha eksperti Qorrolli.

Prej kësaj shume shpenzime operative sipas ekspertit Qorrolli për periudhën 2006-2015 kishin arritur t’i dëshmojnë shumën 182 mijë e 990 euro e 40 cent.

Sipas ekspertit Qorrolli shpenzimet operative janë shpenzimet e pagave, shpenzimet e rrymës, telefonit, shpenzimet e derivateve, shpenzimet e servisimit etj.

Ekspreti Qorrolli ka thënë se në emër të shpenzimeve të udhëtimit janë paguar edhe 2 mijë e 100 euro nga llogaria bankare e OJQ UFORK për periudhën 2006 të cilat shpenzime sipas tij, janë bërë transfer në agjenci turistike.

Ndërsa, në vitin 2006 eksperti Qorolli deklaroi se në llogarinë e Naser Osmanit janë transferuar 1 mijë euro, si dhe provizioni bankar për periudhën 2006-2012 ishte 192.10 cent që sipas tij, e rrumbullakson gjithsej qarkullimin bankar në UFORK në vlerë 335mijë e 632 euro e10 cent.

Sipas ekspertit financiar, kur kësaj shume bankare ia kishin zbritur të gjitha shpenzimet operative në vlerë prej 182 mijë e 990 euro e 40 centë, diferenca në vlerë prej 154 mijë e 132 euro e 47 centë të tërhequra nga llogaria bankare sipas tij, ishin shpenzuar në burim të panjohur.

“Kësaj shume të gjendjes bankare ja kemi zbritur të gjitha shpenzimet operative në vlerë 182 mije 990 euro e 40 cente ku diferenca në vlerë prej 154 mijë e 132 euro e 47 cent kemi konstatuar se këto mjete financiare të tërhequra nga llogaria bankare janë shpenzuar në burim të panjohur për shkak se lidhur me shpenzimet e këtyre mjeteve gjatë shqyrtimit financiar nuk kam pasur dëshmi”, ka thënë eksperti financiar Qorrolli.

Këto të gjetura eksperti Qorrolli deklaroi se ishin bërë gjatë shqyrtimit të dokumentacionit në ekspertizën financiare ku kishin analizuar hyrjet dhe daljet e mjeteve financiare nga llogaritë bankare të OJQ “Fond de R. Kosova” dhe OJQ “Fondi” për periudhën 2006 e këndej.

“Sa i përket OJQ “Fond de R. Kosova” në këtë llogari ka pas autorizim vetëm Bujar Bukoshi, për të cilën OJQ kemi analizuar periudhën 2006 deri më 14.05.2013, por tërheqjet nga llogaria janë bërë me datë 14.10.2015”. ka thënë eksperti.

Sipas tij, për këtë analizë është dhënë konstatimi lidhur me hyrjet e daljet e mjeteve ku në këtë konstatim ai tha se kishin dhënë mendimin se mjetet në vlerë prej 99 mijë e 830 euro të tërhequra nga Bujar Bukoshi nuk kanë pasur dëshmi materiale për të konstatuar se ku janë shpenzuar këto mjete.

“Ndërsa, lidhur me hyrje-daljet e mjeteve financiare nga OJQ UFORK në të cilën ka qenë përgjegjës Buajr Bukoshi dhe të autorizuarit në llogari Atdhe Gashi dhe Naser Osmani kemi konstatuar se më 01 janar 2006 gjendja fillestare ka qenë 971.70 euro. Më 8 shkurt 2006 janë bërë dy transfere hyrëse ndërkombëtare nga unioni i fondeve për rindërtim në OJQ UFORK në vlerë 40 mijë euro, gjatë periudhës 2006-2012 nga llogaria OJQ “Fond de R. Kosova” me seli në Kosovë janë transferuar në llogarinë e OJQ UFORK-ut 294 mijë e 600 euro si dhe interesi bankar gjatë kësaj periudhe është 60 euro e 40 cent. Të cilat të hyra gjithsej kanë qenë 335 mijë e 632 euro e 10 cent”, deklaroi eksperti Qorrolli.

Fillimisht, eksperti Qorrolli ka thënë se nga Prokuroria Speciale e Kosovës ishte kërkuar që të analizohen hyrje-daljet dhe shpenzimet për vitin 2006 e këndej si dhe të përcaktohen të gjeturat për të gjithë të pandehurit veç e veç dhe për të gjitha veprat penale veç e veç.

Tutje, eksperti financiar Qorrolli deklaroi se pas vitit 2012 OJQ UFORK nuk ka pas mjete në llogari, ndërsa në bazë të kartelave të shpenzimeve, kjo OJQ ka krijuar shpenzime edhe në vitin 2013, 2014 dhe 2015.

Kurse, i pyetur nga prokurori Dema se librat e arkës a kanë qenë në mënyrë të rregullt, eksperti Qorrolli ka thënë se lidhur me hyrje-daljet e mjeteve financiare për periudhën 2008-2012 në ditarët e arkës kanë qenë të paraqitura shpenzimet e pagave dhe shpenzimet operative, ndërsa për periudhën 2006-2007, ai tha se nuk ka pasur ditarë të arkës por kanë pasur kartelat lidhur me shpenzimet operative për periudhën 2006-2007.

“Ditarët e arkës kanë qenë fizikisht të shoqëruar me urdhër arke dhe kanë qenë kartelat e shpenzimeve operative dhe këto urdhër arka kanë dëshmuar lidhur me hyrje daljet e mjeteve financiare në të cilët ditarët e arkës kanë qenë të paraqiturat shpenzimet e pagave dhe shpenzimet operative për periudhën 2008-2012, ndërsa për periudhën 2006-2007 nuk i kam pasur ditarët e arkës por kane pasur kartelat lidhur me shpenzimet operative të kësaj periudhe dhe shpenzimet e pagave te cilët janë marr nga deklaratat e personave përgjegjës të cilët kane deklaruar lidhur me shpenzimet e pagave për periudhën 2006-2007”, tha ai.

Në këtë seancë, në cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar edhe Skender Cakolli dhe Maxhun Maloku.

Cakolli dhe Maloku deklaruan se qëndrojnë pranë deklarimeve të dhëna më parë lidhur me këtë çështje penalo juridike.

Dëshmitari Cakolli deklaroi se nga viti 2000 deri në fillim të vitit 2012 kishte punuar në OJQ UFORK si vozitës personal i Bujar Bukoshit.

Për punën e tij, Cakolli tha se kishte pasur kontratë pune dhe se ishte paguar me pagë në baza mujore.

Kurse, dëshmitari Maloku po ashtu deklaroi se në UFORK kishte punuar që nga themelimi i saj si sigurim i Bujar Bukoshit, ndërsa shtoi se nuk i kujtohej nëse ka pasur kontratë të punës mirëpo pagën ai tha se e kishte pranuar në (kesh), nga tani i akuzuari Atdhe Gashi.

Ai tha se pasi e kishte ndërprerë punën në organizatën UFORK nuk kishte pranuar ndonjë pagesë.

“Nuk ka ndodhur që të pranoj ndonjë mëditje apo mjete financiare shtesë jashtë pagës time fikse, ndonjë avanc kur kam marr për nevoja personale”, tha dëshmitari Maxhuni.

Ai deklaroi se i kujtohej ngjarja e cila kishte të bënte me thyerje të zyrave të OJQ UFORK, e cila kishte rezultuar me vjedhjen e disa kompjuterëve dhe kishte dëgjuar edhe për disa dokumentacione që kishin munguar.

Paraprakisht, në këtë seancë gjykatësi Adnan Kamberi ka aprovuar propozimin e mbrojtësit së të akuzuarit Osmani, avokatit Florent Latifaj që ekspertiza e përpiluar nga eksperti financiar gjyqësor Riza Blakaj të konsiderohet e lexuar dhe i njëjti të ftohet që të dëgjohet lidhur me këtë çështje penalo-juridike.

Kurse, është refuzuar propozimi i mbrojtësit së të akuzuarit Gashi, avokatit Halit Shaljani që të konsiderohen të lexuara deklarimet e dëshmitarëve të tjerë përveç Bujar Qorrollit.

Seanca ishte e planifikuar që të vazhdohej edhe në pjesën e pasdites, mirëpo gjykatësi Kamberi njoftoi se kishte pranuar një telefonatë nga prokurori Dema i cili e kishte njoftuar gjykatën se për shkak të gjendjes shëndetësore të prindit të tij i është dashur të shkoj në spital.

Kështu, në mungesë të prokurorit seanca e sotme u ndërpre kurse seancat e radhës u caktuan për 4 dhe 25 maj 2022.

Ndryshe, në nëntor të 2020-ës, Osmani dhe Gashi ishin shpallur fajtorë për veprën penale të “Shpërdorimit”, për çka ishin dënuar me nga 3 vite burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, më 15 shtator 2021, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim ku rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas këtij vendimi të gjykatës së shkallës së dytë, shpallja e aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë nuk është bërë sipas aktakuzës së ngritur ndaj Naser Osmanit e Atdhe Gashit dhe se aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë me shkelje esenciale.

Aktakuza ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit ishte ngritur më 28 prill 2017, nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Paraprakisht, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses Albina Shabani–Rama, e cila më 23 maj 2018, kishte mbajtur shqyrtimin fillestar ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Po në këtë seancë, gjykatësja Shabani-Rama kishte marrë vendim për veçimin e procedurës penale ndaj Bujar Bukoshit, me arsyetimin se ai ishte i sëmurë dhe nuk kishte mundur të paraqitej në këtë shqyrtim fillestar.

Më pas, më 26 tetor 2018, gjykatësja Shabani-Rama kishte mbajtur edhe shqyrtimin e dytë ndaj të akuzuarve Osmani dhe Gashi, e të cilët brenda afatit ligjor kishin paraqitur kundërshtimet për provat dhe kishin ushtruar kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Mirëpo, gjykatësja Shabani-Rama, më 3 dhjetor 2018, kishte marrë vendim që të refuzoheshin kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Lidhur me këtë, të akuzuarit Osmani dhe Gashi, kishin ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, e cila më 17 janar 2019, kishte refuzuar këto ankesa, duke konfirmuar aktakuzën në fjalë.

Ndërsa, më 18 janar 2019, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses së Departamentit të Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Medie Bytyçi dhe më 13 mars të këtij viti, kjo lëndë nga Apeli, ishte kthyer në zyrën e kësaj gjykatëseje.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të KPK-së dhe veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së, kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257 par.3 lidhur me par.1 të KPK-së, lidhur me par.31 të KPK-së, kundër Naser Osmanit për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së dhe kundër të akuzuarit Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së.

Sipas PSRK-së, Bujar Bukoshi akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008-2015, me qëllim që t’i sjellë vetit apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila i është besuar atij, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në Fondin 3%, duke parë nevojën për të ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë, ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi janë transferuar në xhirollogarinë e “Fond de R. Kosova” në Prishtinë, në NLB, shumën prej 90,380,00 euro, ka tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën me asnjë dëshmi nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3%, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Kosovës, në shumë prej 90,830,00 euro, po ashtu edhe shumën prej 3,500 euro, paguar për bileta, Ingrid Steiner Gashi, me 26 gusht 2019, që nuk dihet kush është, por jo punëtore e UFORK-ut.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.

Tutje, PSRK i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi se gjatë periudhës kohore 2006-2015, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin, me qëllim për t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila u është besuar atyre, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në fondin 3%, duke parë nevojën për ta ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi transferuar në xhirollogarinë e OJQ UFORK, në Prishtinë, në BPB shumën prej 154,132,47 euro, i kanë tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën shumë me asnjë dëshmi nuk e kanë arsyetuar se për çfarë qëllime i kanë shfrytëzuar, duke mos e realizuar asnjë projekt, e me këtë e kanë dëmtuar buxhetin e Fondit 3% – UFORK-ut, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Republikës së Kosovës, në shumë prej 154,132,47 euro.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Bujar Bukoshi, akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2015, në cilësinë e personit përgjegjës, Kryetar i Bordit të “UFORK-ut” dhe si i punësuar aty, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave të cilat ka qenë i obliguar që t’i deklarojë në Administratën Tatimore të Kosovës, dhe shuma e shmangies nga i akuzuari është 39,932,04 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Në dispozitivin e katërt, Naser Osmani akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht, pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave dhe të të hyrave të tjera, e të cilat ka qenë i obliguar që këto të ardhura ti deklaron në ATK, si pasojë është dëmtuar buxheti i ATK-së – Republikës së Kosovës, me 3510 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Naser Osmani se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave, dhe të hyrave të tjera, i njëjti ka qenë i obliguar që këto të ardhura t’i deklarojë në Administratën Tatimore të Kosovës, shumë e shmangies nga i akuzuari është 2667.30 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Po ashtu, Prokurori i Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, Atdhe Demaj, më 30 nëntor 2018 kishte dorëzuar në gjykatë një parashtresë, përmes së cilës kishte bërë plotësimin dhe qartësimin e aktakuzës së ngritur më 28 prill 2017.

Sipas kësaj parashtrese, dispozitivi nën pikën II të aktakuzës, është plotësuar ashtu që tani të akuzuarit Bujar Bukoshi-Kryetar i Bordit të UFORK, me seli në Prishtinë, Naser Osmani në cilësinë e anëtarit të bordit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, dhe Atdhe Gashi në cilësinë e arkëtarit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, në vazhdimësi, përgjatë periudhës kohore 2006 deri 2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë që u është besuar atyre, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe vendeve tjera, kontribuues në fondin e themeluar atëbotë për financim të strukturave të Qeverisë së Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimum 3% të të hyrave të të tyre personale mujore, e të cilat janë transferuar në xhirollogarinë e “UFORK”, në Bankën “BPB” në Prishtinë, ashtu që kanë tërhequr shumën prej 154, 132,47 euro në kesh, nuk kanë arsyetuar dhe as dëshmuar qëllimin e tërheqjes së kësaj shume, vlerësim dhe konstatim ky i vërtetuar me ekspertizën e datës 21 prill 2017.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.3 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës së Kosovës.