DMCA.com Protection Status

Policia kap serbin me mbi 6.5 milionë dinarë e mbi 35 mijë dollarë në veturë (FOTO)

Policia Kufitare e Kosovës ka konfiskuar 6 milionë e 653 mijë dinarë serbë në kesh në pikën kufitare me Serbinë në Dheun e Bardhë.

Këto dinarë serbë të konfiskuar, në vlerën e euros, janë rreth 56 mijë euro.

Përveç dinarëve, Policia ka gjetur dhe konfiskuar po ashtu 35 mijë e 600 dollarë amerikanë.

Këto para i janë gjetur në veturë një shtetasi të Serbisë.

“Gjatë kontrollit më të detajuar, në vijë të dytë të kontrollit, në brendi të automjetit, të fshehura dhe të maskuara janë zbuluar dy qese të najlonit. Gjatë procedurave të tjera të kontrollit, janë zbuluar 35600 USD (tridhjetë e pesë mijë e gjashtëqind dollarë amerikanë) dhe 6.653.590 RSD (gjashtë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e tre mijë e pesëqind e nëntëdhjetë dinarë serbë)”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas Policisë, vetura ku janë gjetur paratë ka qenë duke dalë nga Kosova për në Serbi.

Ndërsa deri te dyshimi, pastaj kontrollimi i veturës, sipas Policisë ka ardhur pas analizimit të riskut dhe informatave.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka bashkëpunuar me Doganën dhe të njëjtës i janë dorëzuar parat e konfiskuara.

“Sipas procedurave të parapara Policia Kufitare ka bashkëpunuar ngushtë me Doganën e Kosovës së cilës i janë dorëzuar paratë e konfiskuara dhe rasti për procedurë të mëtutjeshme” thuhet më tutje në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Rasti ka ndodhur të mërkurë, rreth orës 20:20.