DMCA.com Protection Status

Eprorët e Policisë së Kosovës rreshtohen para Milan Radojiçiqit dhe Aleksandar Vuçiqit (FOTO)

Pesë eprorë të Policisë së Kosovës në veri të vendit, janë parë gjatë ditës së djeshme në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

KALLXO.com ka siguruar një fotografi në të cilën shihen në takim me Vuçiqin disa eprorë të policisë të cilët punojnë në zonën e veriut të Kosovës.

Në të njëjtin takim sipas mediave serbe ku mori pjesë edhe i kërkuari tashmë për rastin “Brezovica” Milan Radojiçiq u diskutua edhe mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Pesë personat e parë që janë në fotografi kanë pozita të larta në Policinë e Republikës së Kosovës.

Këta janë, Shefi i Hetimeve Rajonale në Mitrovicën Veriore, Nenad Simiq, Komandanti i stacionit policor në Mitrovicën Veriore, Goran Zivkoviq, Igor Vukadinoviq nga Stacioni policor në Leposaviq, komandanti i stacionit policor në Zubin Potok, Zvezdan Milivojeviq si dhe Shefi i Hetimeve në Zveçan.

KALLXO.com që nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm ka kërkuar sqarime nga ana e Policisë së Kosovës për pjesëmarrjen e eprorëve të policisë në veri të vendit në takimin e thirrur nga Vuçiq.

Deri në publikimin e këtij shkrimi, Policia e Kosovës nuk ka dhënë asnjë detaj nëse janë duke e trajtuar rastin.

KALLXO.com ka raportuar se në bazë të mediave në Serbi se, në takimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ku ishte i pranishëm edhe Millan Radojiçiq, njeriu i kërkuar nën dyshimet për korrupsion në Kosovë, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga zinxhiri komandues i Policisë.

Mediumi serb PINK TV sot ka raportuar se në këtë takim mes serbëve të Kosovës dhe Vuçiqit, ndër të tjerë, kanë marrë pjesë edhe punonjës të institucioneve të Kosovës, përkatësisht gjyqtarë të Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe të zinxhirit komandues operativ të Policisë së Kosovës në veri.

Gjatë ditës së sotme, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar fotografinë e publikuar në të cilën shihet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në takim me përfaqësues të institucioneve në Kosovë me Millan Radojiçiqin njeriun e kërkuar për korrupsion.

“Këtu njerëzit kryesor në këtë fotografi janë Radojiçiq dhe Gashiq, nuk është as Petkoviq. Ky që ndodhet në anën e djathtë të Vuciqit, Petkoviqi që është kryenegociator i Serbisë ky as për së afërmi nuk është i rëndësishëm sa Radojqiqi dhe Gashiqi, besa as zoti Jevtiq”, ka thënë Kurti.