DMCA.com Protection Status

Ky është dënimi mijëra eurosh ndaj kompanisë së naftës, pronë e njerëzve të PDK-së

Korporata e derivateve të naftës ALFA Trade, e cila të premten u zbulua se kishte funksionuar me një skenë mashtrimi duke i ikuar akcizës, për të cilin veprim dyshohet se dëmtoi shtetin me mbi 100 mijë euro, edhe para disa viteve kishte mashtruar qytetarët me çmimin e derivateve. Për këtë veprim ishte dënuar nga shteti.

Fundi i javës së kaluar doganierët e shtetit i gjeti në ALFA Trade, kompaninë e naftës me bazë në Skënderaj.

Bazuar në kontrollet e tyre, doganierët kanë zbuluar se kompania ka nxjerrë në shitje derivatet e naftës të parapara për ambasadat në Kosovë, derivate këto që janë të liruara nga akciza.

Duke vepruar kështu ALFA Trade dyshohet se ka bërë shamngie të obligimeve tatimore prej rreth 100 mijë eurove.

Për pasojë, shteti ka ndalur Hajdar Hajdarin, pronarin e ALFA Trade, i cili është vëllau i Isa Hajdarit kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së në zgjedhjet e fundit.

Biznesmeni Hajdari tash është në arrest shtëpiak, sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, shkruan Gazeta Insajderi.

Biznesmenët e lidhur me PDK-ën ishin dënuar për mashtrim

ALFA Trade, biznesi i udhëhequr nga vëllezërit Hajdari, që janë të afërt më Partinë Demokratike të Kosovës, ishte dënuar më 2020.

Shteti kishte shqiptuar një gjobë prej rreth 214 mijë eurove kundër biznesit të vëllezërve nga Skenderaj për shkak se kishin ç’rregulluar konkurrencën tregtare gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018, shkruan Gazeta Insajderi.

Gjoba nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ishte shqiptuar pas hetimit që ky institucion kishte bërë në ALFA Trade, për një vit.

“Komisioni i AKK-së ka caktuar periudhën e hetimit për ndërmarrjet nën hetim nga 01.01.2018 deri më 31.12.2018. Për t’i vërtetuar pretendimet e veta, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka kërkuar nga Dogana të gjitha dudat doganor të importit të produktit Naftë dhe Benzinë nga ndërmarrja ALFA TRADE Shpk”, thuhet në vendimin e AKK-së, të cilin e posedon Gazeta Insajderi.

AKK vendimin për gjobë e kishte marrë bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, pasi kishte kërkuar nga ndërmarrja ALFA Trade, të gjitha shitjet me pakicë dhe shumicë për produktin naftë dhe benzinë për çdo ditë për tërë vitin 2018.

Për këtë vit, Autoriteti kishte kërkuar edhe të dhënat e Doganës për secilin import që e kishte bërë ndërmarrja ALFA Trade.

Bazuar në këto të dhëna, AKK më pas ka kalkuluar mesataren mujore të çmimit të naftës dhe benzinës për vitin 2018, dhe kishte konkluduar se kompania e njerëzve të afërt me PDK-në kishte ç’rregulluar konkurrencën tregtare gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018, duke bërë marrëveshje të heshtur me bizneset e shitjes së naftës.

“Gjatë analizës dhe përpunimit të të dhënave vërejmë se nga muaji JANAR/18 – TETOR/18 mesatarja e fitimit bruto/l ka qenë 0.09 cent/l, ndërsa për muajin NENTOR/18 – DHJETOR/18 mesatarja e fitimit bruto/l ishte 0.18 cent/l.b”, thuhet në vendimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi.

“Kur ngrisim paralelen e krahasueshmërisë për muajin SHKURT dhe DHJETOR, muaji SHKURT/18, çmimi blerës/l ishte 0.92 cent/l ndërsa fitimi bruto/l ishte 0.13 cent/l dhe çmimi shitës/l ishte 1.05 cent/l gjë që është reflektuese me çmimin e berzës botërore, ndërsa për muajin DHJETOR ku çmimi i berzës kishte rënie nga muaji paraprak dhe po ashtu çmimi importues/l ishte i njejtë me atë të muajit SHKURT/18, 0.91cent/l, fitimi bruto/l për muajin DHJETOR ishte 0.21 cent/l, dhe Çmimi shitës/l ishte 1.12 cent/l gjë që ndërmarrja ALFA Trade ShPK nuk ka reflektuar me ulje të fitimit bruto/l karshi uljes së çmimit të berzës dhe çmimit importues”, thuhet tutje në vendim, transmeton Gazeta Insajderi.

Mbi faktet e konstatuara, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, ka vlerësuar se ALFA Trade, ka caktuar çmimin shitës dhe marzhën e fitimit bruto/l për muajt nëntor dhe dhjetor në mënyrë të bashkërenduar me
kompanitë tjera të cilat operojnë në tregun relevant.

ALFA Trade dhe të tjerat atë kohë ishin marrë vesh në mënyrë të heshtur edhe për çmimin e benzinës.

“Gjatë muajit NËNTOR krahasuar me mesataren e muajve JANAR – TETOR, çmimi blerës/l ka rritje për 2.0% ndërsa çmimi shitës/l krahasuar me muajt JANAR – TETOR është rritur për 7% dhe mesatarja e fitimit bruto/l krahasuar me muajt JANAR – TETOR është rritur për 60% në raport me fitimin bruto/l
për periudhën JANAR – TETOR”, thuhet në vendimin e AKK, transmeton Gazeta Insajderi.

“Gjatë muajit DHJETOR krahasuar me mesataren e muajve JANAR – TETOR, çmimi blerës/l ka rënie për 8% ndërsa çmimi shitës/l krahasuar me muajt JANAR – TETOR ka rritje për 4% dhe mesatarja e fitimit bruto/l krahasuar me muajit JANAR – TETOR është rritur për 124% në raport me periudhën e njëjtë”, vazhdon tutje vendimi, transmeton Gazeta Insajderi.

Kompania ALFA Trade është kompani e karburanteve të naftës dhe vajrave, e cila është themeluar në vitin 1991. E njëjta ka hy edhe në biznesin e ndëritimeve, por edhe në fushën e tregtisë./Gazeta Insajderi/