DMCA.com Protection Status

Arrestohet pronari i barnatorës, mashtronte qytetarët me banderola të falsifikuara

Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës sot kanë arrestuar pronarin e një barnatoreje në rajonin e Prishtinës, i cili dyshohet se ka shitur barna me banderola të falsifikuara. Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se i dyshuari është Agon Vezaj, pronar i barnatores “Sejdu Farm“, e cila ndodhet në qytetin e Obiliqit.

Sipas Policisë, Vezaj dyshohet se në barnatoren e tij, produktet medicinale të kontrabanduara i ka shitur me banderola të shteteve të huaja dhe me banderola tjera të falsifikuara. Kësisoj, ai dyshohet se i ka vënë në lajthitje pacientët kinse janë me banderola të rregullta.

Duke i shitur këto barna, Vezaj dyshohet se ka përfituar materialisht në aspektin personal dhe e ka rrezikuar potencialisht shëndetin e përgjithshëm.

Vezaj, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, pasi dyshohet se e ka kryer veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë (Departamenti i Përgjithshëm), sot me datë 21.03.2022, pas disa veprimeve hetimore/operative, përmes hetuesve kompetent kanë arrit të sigurojnë informata në lidhje me një aktivitet kriminal për personin e dyshuar me iniciale (A. V.),në cilësi të pronarit të një barnatoreje, i cili duke shitur produkte medicinale të dyshuara si të kontrabanduara (barna pa banderola të Republikës së Kosovës), me banderola të shteteve tjera, si dhe me banderola të falsifikuara me qellim të vënies në lajthim të pacientëve (kinse janë me banderola të rregullta). I dyshuari i lartcekur me iniciale ka arritur që të përfitoj materialisht në aspektin personal dhe njëkohësisht duke i rrezikuar potencialisht shëndetin e përgjithshëm“, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.