DMCA.com Protection Status

Biznesmeni i arrestuar për shmangien e taksave në derivate përfitoi mbi 2 milionë Euro vlerë të kontratave nga Komuna e Drenasit

Mbi dy milionë euro vlera nga tenderët e Komunës së Drenasit, rezulton se i ka përfituar kompania “Fer Petrol”, e regjistruar si biznes individual në pronësi të biznesmenit Mehdi Gjoka. Ky i fundit, i dënuar në vitin 2019 me gjashtë muaj burg me kusht për uzurpim prone, u arrestua serish mbrëmë në aksionin e Doganës së Kosovës që rezultoi se tre kompani derivatesh dëmtuan mbi 600 mijë Euro buxhetin e Kosovës duke iu shmangur tatimeve me dokumente të falsifikuara.

Sipas, të dhënave të publikuara në platformën publike “Prokurimi i Hapur”, 2,050,500.55 Euro është vlera e kontratave që “Fer Petrol” ka përfituar nga tenderët e marrë vetëm nga Komuna e Drenasit. E, mbi 22 mijë Euro tjera, rezulton se e njëjta kompani përfitoi edhe nga një kontratë e tenderuar me Policinë e Kosovës.

Tenderët në Komunën e Drenasit, “Fer Petrol”, kryesisht i fitoi për ndërtimin e rrugëve, shkruan Gazeta Online Reporteri.net. Por kompania e regjistruar në ARBK si biznes individual nga biznesmeni Mehdi Gjoka operon edhe në disa njësi tjera si pompë derivatesh.

E ky aktivitet, Mehdi Gjoken e çoi mbrëmë në arrestim nga Policia e Kosovës, si të dyshuar, pasi Doganat e Kosovës zbuluan një skemë mashtrimi të tre kompanive të derivateve, përfshirë “Fer Petrol”, të cilat dyshohen se iu shmangen taksave të shtetit, përmes dokumenteve të falsifikuara. Dëmi që iu bë buxhetit të shtetit rezulton mbi 600 mijë Euro, sipas Doganës.

Dy kompanitë tjera të dyshuara për këtë shmangie tatimesh, të cilat sikurse edhe “Fer Petrol” u bastisen mbrëmë, janë HIB Petrol dhe Alfa Trade.

Biznesmeni Mehdi Gjoka përveç si përfitues i madh i tenderëve në Komunën e Drenasit, njihet edhe për afërsinë e tij të madhe me kryetarin e kësaj komuna, Ramiz Lladrovcin e PDK-së.

E kjo afërsi dyshohet të jetë “formula e suksesit” që “Fer Petrol” të fitojë në secilin tender që ka aplikuar në Komunën e Drenasit, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Madje, kjo kompani, brenda një viti, në periudhën 2018/2019, i ka fituar gjithsej 20 tenderë nga komuna që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci. Vlera e tyre, vetëm në këtë periudhe 1 vjeçare, e kalon mbi 1 milion e gjysmë Euro. Kontratat e fituara nga kompania “Fer Petrol” i Mehdi Gjoka janë kryesisht për mirëmbajtje dhe ndërtim të rrugëve.

Nga ana tjetër, biznesmeni Mehdi Gjoka dy herë është dënuar nga Gjykata. Një herë me 6 muaj burgim me kusht për uzurpim prone, dhe një herë tjetër për kanosjen e një gazetareje-monitoruese.

Ndryshe, përveç Gjokës, për aferën e shmangies së tatimeve të derivateve, janë arrestuar edhe Fatbardh Xhaferi, menaxheri i kontratave në “Hib Petrol” dhe biznesmeni nga Skenderaj, Hajdar Hajdari, pronar i “Alfa Trade”.

“Nga ky aktivitet zyrtarët doganor kanë gjetur dyshime për shmangie taksash nga tri subjekte që operojnë në fushën e tregtisë me derivate të naftës. Si rezultat është zbuluar lirimi i bazuar në dokumente të falsifikuara ndër vite, fillimisht nga këto tri subjekte që kanë deklaruar edhe ndërlidhjen mes vete. Dyshimi është se këto subjekte kanë liruar në import derivate duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej mbi 600 mijë euro gjatë tre viteve të fundit”, ka njoftuar Dogana të shtunën.

Dyshohet se tre kompanitë e derivateve kanë nxjerrë jashtëligjshëm në shitje për qytetarët derivatet e e parapara për ambasadat në Kosovë të cilat janë të liruara nga akciza. /Reporteri.net/.