DMCA.com Protection Status

Gjermani vjen në Kosovë të gjejë infermierë, ja profesionin që kërkon (VIDEO)

Kompania “Comesens” po kërkon të rinj nga Kosova që dëshirojnë të ndërtojnë një karrierë infermierie në Gjermani. Kjo kompani gjermane ka vepruar në Kosovë prej një viti e gjysmë. Meqë, në vend infermieria është profesioni që kërkohet shumë sipas kompanisë, atëherë u jepet mundësia që të dalin edhe në Gjermani për punësim, me ndihmën e saj.

Jars Sonntag, drejtor ekzekutiv i “Comesens Kosova”, në emisionin “SOT” të KOHËS ka thënë se te të rinjtë e Kosovës sheh ambicie për punë.

“Ka shumë të rinj që vijnë, në Kosovë shoh që njerëzit këtu janë më ambiciozë dhe njerëzit e tillë që janë ambiciozë dhe kompetentë nga ana mjekësore, kemi për ta nevojë si për ajrin që na duhet për jetë”.

Ai tregon çka i pret ata që shkojnë për të punuar në Gjermani, e të parën thekson pagën e mirë që thotë se profesioni ofron.

“Çka ju pret atje, sigurisht një pagë e mirë, pagat janë rreth 3000-3500 euro në muaj. Sigurisht që ofrohet një karrierë, në fillim është me rëndësi ndjenja e rahatisë të jetë e gatshme sepse ne presim që ata të mësojnë gjermanisht, të edukohen edhe më tej nga ana profesionale, pasi pas 6 muajsh do ta bëjnë një test rreth njohurive. Ne i marrim njerëzit, ju ofrojmë banimin, akomodimin dhe çdo gjë të nevojshme. Duhet të sigurohemi që secili person që vjen atje ka të gjitha kushtet për të mësuar dhe të ndihet mirë. Sigurisht nëse ata kanë fëmijë, mund t’i marrin dhe fëmijët e tyre”, ka theksuar Sonntag.

E, Albulenë Shala-Çela, koordinatore në Comesens ka treguar më shumë rreth proceseve që u nënshtrohen shqiptarët për të shkuar në shtetin gjerman për të punuar dhe operimin e kompanisë në Kosovë.

“Në Kosovë jemi që 1 vit e gjysmë dhe merremi vetëm me infermieri. Ideja është të gjithë infermierët, kemi shumë infermierë dhe vitet e fundit është ndër profesionet më të kërkuara në Kosovë me arsyen që të dalin jashtë sepse nuk e shohin veten në Kosovë për shkak të papunësisë. Për ta bërë më të lehtë depërtimin për Gjermani ekziston Comesensi”, ka thënë ajo.

Tregoi se Comesens ofron falas kurset dhe fazat e para të akomodimit në Gjermani.

“Ideja e ndërtimit të Comesensit është të kalohen të gjitha fazat falas. Me procesin e vizës dhe procedura të tjera të gjitha i financojmë dhe nuk kërkojmë kompensim. Çka duhet ata të kenë është që të bëhen pjesë e jona duhet të jenë infermierë të licencuar dhe t’i përcjellin kurset tona falas. E kanë mbështetjen në procesin e vizës së njohjes. Te faza fillestare sigurohen të gjitha, vendbanimi e punëdhënësi. Në momentin kur janë atje fillon faza e regjistrimit dhe fazat e testimit të njohjes, provim që e mbron profesionalizmin. Me atë licencë je i barasvlershëm me të gjithë ata që e kanë kryer shkollimin në Gjermani”, ka thënë ajo.

Por, shtoi se për ata që nuk mund ta vazhdojnë qëndrimin në Gjermani në këmbë të veta, sërish kompania i mbështet duke i ofruar qëndrim falas. “Varet nga njerëzit sa kanë nevojë”, ka thënë ajo.

“Në Kosovë duhet të jenë të licencuar në infermieri por bën edhe ata që janë në proces, dhe të dinë gjuhën gjermane”, tha ajo.