Donika Gërvalla, LDK-së: Mashtrim, nuk i hamë marrëzirat! Vetëm ky person mund të jetë kandidat për kryeministër

Lidhja Demokratike e Kosovës, së bashku me Nismës Socialdemokrate dhe AKR-në, pritet të formojnë qeverinë e re të Kosovës brenda një jave.

LDK-ja sot ka vendosur të emërojë si kandidat për kryeministër Avdullah Hoti, duke anashkaluar Vjosa Osmanin, që ishte kandidate për kryeministre në zgjedhjet e tetorit të kaluar.

Me këtë vendim të LDK-së nuk po pajtohet as ish-kryetarja e degës së LDK-së në Gjermani Donika Gërvalla, përcjell Bota sot.

Ajo ka thënë se e vetmja kandidate legjitime për kryeministër nga LDK-ja deri në zgjedhjet e reja, është Vjosa Osmani, pasi ka marrë besimin e qytetarëve.

Gërvalla ka kritikuar LDK-në për koalicione joparimore në dëm të saj dhe të qytetarëve.

Sipas saj, legjitimitetin për kryeministër nuk e jep Hashim Thaçi, por vota e sovranit.

Postimi i plotë i Gërvallës në Facebook:

Mashtrim!

E VETMJA kandidate legjitime për kryeministër nga LDK-ja deri në zgjedhjet e ardhshme është Dr. Vjosa Osmani. Vetëm ajo e ka marrë nga kjo parti besimin qytetar në zgjedhjet e kaluara. Askush tjetër! Të tjerët janë manipulim vote dhe rrënim besimi. Legjitimitetin për KM nuk e jep iza e Hashim Thaçit por vota e sovranit.

Organizoni zgjedhje të reja, kandidoni dikë tjetër dhe nëse i merr votat, le të bëhet kryeministër.

Deri atëherë ulni kokën dhe punoni që të mund të riktheni pak nga besimi që e keni humbur. Nuk latë koalicion joparimor pa bërë në dëm të qytetarëve dhe të LDK-së. Tash edhe me Coronën.

Demokracia pazar nuk është dhe as ne dele që t’i hamë këto marrëzi.